Ekip
27 shtator 2019•Përditësim: 29 shtator 2019
Gara për zgjedhjet presidenciale në Afganistan, të caktuara për të shtunën, ka hyrë në një fazë të rëndësishme përfundimtare të shoqëruar me frikën për sulme nga talebanët, raporton Anadolu Agency (AA).
Fushata zgjedhore 28-ditore për kandidatët presidencial përfundoi të mërkurën në mesnatë për të vazhduar me zgjedhjet e të shtunës nën mbikëqyrjen e Komisionit të Pavarur Zgjedhor (KPZ).
Sipas kushtetutës, kandidatit presidencial i nevoiten mbi 50 për qind të votave për të shpallur fitoren.
Nëse anjëri nga kandidatët nuk fiton shumicën e thjeshtë në zgjedhjet e së shtunës, raundi i dytë i zgjedhjeve në mes të dy kandidatëve më të votuar do të mbahet më 23 nëntor.
KPZ rezultatet e para paraprake do t'i publikojë më 19 tetor ndërsa rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, në të cilat në total garojnë 15 kandidatë për kreun e shtetit, do të publikohen më 7 nëntor.
Në mesin e kandidatëve që garojnë për kreun e shtetit janë presidenti aktiual Mohammad Ashraf Ghani, kreu i ekzekutivit Abdullah Abdullah dhe ish-udhëheqësi i muxhahedinëve Gulbuddin Hekmatyar.
Rreth 9.7 milionë votues të regjistruar do të drejtohen në qendrat e votimit të shtunën në zgjedhjet e katërta presidenciale në vendin e shkatërruar nga lufta që nga rënia e regjimit taleban në vitin 2001.
Diku rreth 3.3 milionë gra pritet të votojnë për presidentin e ri, që përbën 35 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve.
"Zgjedhjet do të konsiderohen si një proces kombëtar dhe bazë për forcën e popullit. KPZ e konsideron veten si organizator teknik, përgjegjës për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe të drejta në përputhje me kushtetutën", thuhet në kumtesën e KPZ-së.
Ministria e Brendshme ka mobilizuar mbi 70 mijë efektivë të forcave të rendit për të siguruar qetësi në ditën e zgjedhjeve.
Të enjten Afganistani mbylli vendkalimin e saj kryesor kufitar me Pakistanin në prag të zgjedhjeve si dhe ndaloi hyrjen e kamionëve në kryeqytetin Kabul për katër ditë për shkak të masave të sigurisë.
Në ndërkohë, Këshilli i lartë ushtarak i talebanëve, paralajmëroi qytetarët afganë, që të mos e vënë veten në rrezik duke marrë pjesë në zgjedhje.
Duke përdorur mediat sociale, grupi kërcënoi se militantët talebanë janë urdhëruar "që të ndërpresin këtë proces në mbarë vendin me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion".
Një ditë më parë, Tadamichi Yamamoto, i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Afganistanin, u bëri thirrje talebanëve që të shmangin çdo aktivitet që do të pengonte mbarëvajtjen e zgjedhjeve posaçërisht atyre për sa i përket sigurisë së votuesve dhe të gjithë civilëve lidhur me zgjedhjet.
Në prag të zgjedhjeve, vendi ka parë rritje enorme të dhunës, duke marrë qindra jetë njerëzish nga të gjitha palët në javët e fundit.