Burak Bir
07 Qershor 2023•Përditësim: 07 Qershor 2023
Bashkëpunimi ekonomik dhe ai i mbrojtjes "duhet të jenë dy shtyllat e aleancës Mbretëri e Bashkuar-SHBA", tha kryeministri britanik Rishi Sunak para nisjes për në Washington, raporton Anadolu.
"Duke vënë në dukje rolin që partneriteti ynë i mbrojtjes ka pasur në mbrojtjen e popullit tonë për dekada, kryeministri në Washington do të deklarojë se bashkëpunimi i gjerë për çështjet ekonomike do të na mundësojë të bëjmë të njëjtën edhe për shekullin e ardhshëm", thuhet në deklaratën e Zyrës së Kryeministrit.
Gjatë vizitës së tij, Sunak do të takohet me presidentin Joe Biden, figura të kongresit dhe liderë të biznesit amerikan, ndërsa në takimin me presidentin amerikan pritet që të dy liderët të intensifikojnë punën "për të mbrojtur industritë kryesore dhe për të mbrojtur zinxhirët e furnizimit kundër kërcënimeve, përfshirë nga shtetet armiqësore".
Në deklaratë thuhet se kompanitë amerikane kanë bërë më shumë se 14 miliardë sterlina investime të reja në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa marrëdhënia tregtare midis dy vendeve kap vlerën prej 279 miliardë sterlina në vit.
"Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA kanë punuar gjithmonë për të mbrojtur njerëzit tanë dhe për të mbështetur mënyrën tonë të jetesës. Teksa sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballemi ndryshojnë, ne duhet të ndërtojmë një aleancë që mbron gjithashtu ekonomitë tona", tha Sunak në deklaratë, duke shtuar:
"Ashtu si ndërveprueshmëria midis ushtrive tona na ka dhënë një avantazh në fushën e betejës ndaj kundërshtarëve tanë, ndërveprueshmëria më e madhe ekonomike do të na japë një avantazh vendimtar në dekadat e ardhshme".
Përpos kësaj, kryeministri britanik tha se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA kanë punuar gjithmonë bashkërisht për të mbrojtur qytetarët e tyre.
"Tani Britania e Madhe dhe SHBA duhet të ndërtojnë një aleancë që gjithashtu mbron ekonomitë tona. Ky është fokusi im teksa shkoj në Washington", u shpreh ai në Twitter, duke ndarë një foto të tij me një gazetar në aeroplan teksa po udhëtonte për në SHBA.