Hajer M'tırı
15 Shtator 2017•Përditësim: 16 Shtator 2017
PARIS (AA) - Një sulmues me thikë ka sulmuar një ushtar francez në kryeqytetin e Francës, Paris. Në këtë incident nuk ka të lënduar ndërsa autori i sulmit është arrestuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria franceze e Mbrojtjes, e cila njoftoi se ushtari i sulmuar është pjesë e “Operation Sentinel”, që është emërtim për operacionin mbarëkombëtar anti-terror për mbrojtje të Francës.
Personi i arrestuar mëngjesin e sotëm rreth orës 6:30 kishte sulmuar ushtarin francez i cili në atë kohë ka patrulluar në stacionin e metrosë Chatelet në kryeqendër. Ushtari ka shpëtuar pa lëndime.
Ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly konfirmoi incidentin në një intervistë për radion franceze Europe1.
"Nuk dimë shumë për qëllimet e agresorit që u arrestua", tha ajo.
Parly shtoi më tej se sulmi i fundit legjitimon tërësisht masat e reja të ndërmarra nga ministria për të modifikuar operacionin Sentinel i cili do të bëhet akoma më shumë i paparashikueshëm për sulmuesit e mundshëm.
Sipas saj, numri i ushtarëve të përfshirë në operacion do të mbetet në 7.000.
Ky është sulmi i gjashtë mbi ushtarët francezë pjesë e operacionit Sentinel.