ANKARA (AA) - Organizata terroriste YPG/PKK vazhdon përpjekjet për të formuar shtet në lindje të Eufratit në Siri, për të cilën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, paralajmëroi një operacion ushtarak. Organizata, duke ndryshuar strukturën demografike në rajon, ka marrë nën kontrollin e saj rajonet më të pasura të vendit me burimet e energjisë, tokat bujqësore dhe burimet e ujit.
Vëmendja është kthyer në këtë rajon pasi presindeti i Turqisë Erdoğan dje deklaroi se "Brenda pak ditësh do të nisim operacion për të çliruar lindjen e Eufratit nga organizata terroriste separatiste".
Pjesa gjeografike në lindje të Lumit Eufrat në Siri, e cila është pushtuar nga YPG/PKK, përbën një vijë kufitare prej 480 kilometrash me Turqinë. Në vijën kufitare në anën e Turqisë ndodhen qytetet Şanlıurfa, Mardin dhe Şırnak.
Me përjashtim të pjesës perëndimore të Eufratit, zona që thellohet nga lindja e lumit drejt jugut mes kufirit me Irakun është mbi 45,000 kilometra katrorë.
Sipas matjeve të bëra nga Anadolu Agency (AA), ky territor është përafërsisht një e treta e territorit të të gjithë Sirisë.

YPG/PKK nga tetori i vitit 2014 e deri më tani është përhapur në lindje të Eufratit me armatime dhe mbështetjen intensive që i ka dhënë SHBA-ja përmes sulmeve ajrore kundër DEASH-it.
- Terroristët kanë ndryshuar strukturën demografike
Vendbanimet më të mëdha në lindje të Eufratit përbëhen nga zona Ajnularab e Halepit, zonat Tel Abjad dhe Tabka të Rakkas, Kamishli e Hasekes, zonat Amude dhe Rasulaj, si dhe zonat periferike në veri të Dejrizorit. Në këtë brez, popullata ende përbëhet nga rreth 70 për qind arabë.
Organizata, duke ndryshuar me forcë strukturën demografike, synon që të kontrollojë më lehtë procesin e shtetëzimit të territorit që ka pushtuar.
Terroristët detyrojnë zhvendosjen e arabëve, asirianëve, kurdëve dhe turkmenëve dhe gjithashtu, veçanërisht në Rakka dhe Dejrizor, pengojnë kthimin personave që dëshirojnë të kthehen në vendet e tyre pas konflikteve me DEASH-in.
Sipas të dhënave të Këshillit të Lartë të fiseve siriane, YPG/PKK deri më tani ka zhvendosur 1 milion 700 mijë njerëz.
- Burimet energjetike të Sirisë janë në duart e organizatës
YPG/PKK, e mbështetur nga SHBA-ja me pretendimin e luftës kundër DAESH-it, ka marrë në kontroll burimet më të pasura të energjisë të Sirisë.
Më 23 shtator 2017, terroristët e YPG/PKK-së morën nën kontroll fabrikën më të madhe e gazit natyror Konoko në zonën rurale verilindore të rajonit Dejrizor dhe një muaj më vonë morën fushën e naftës Xhafra. Më 22 tetor 2017, organizata pushtoi El Omar, fushën më të madhe të naftës në Siri.
- Tokat më pjellore nën kontrollin e organizatës
Sipas llogaritjeve kartografike të AA-së, organizata terroriste kontrollon 60 për qind të tokave bujqësore në Siri, që korrespondojnë me 30 mijë kilometra katrorë.
Këto toka njihen si tokat bujqësore më pjellore, ku gjeneroheshin më shumë produkte në periudhën para luftës në Siri.
Po ashtu, dominimi i burimeve të ujit për ujitjen e tokave bujqësore është një tjetër avantazh që YPG/PKK-ja ka në rastin nëse ajo krijon një shtet që mund të qëndrojë mbi këmbët e veta me mbështetjen e SHBA-ve.
- Burimet më të mëdha të ujit dhe prodhimit të energjisë elektrike nën kontrollin e terroristëve
Në periudhën dhjetor 2015 - qershor 2017, kur organizata terroriste përparoi në lindje të Eufratit me mbështetjen ajrore të SHBA-së, ajo mori nën kontroll tre digat më të mëdha të Sirisë.
Digat Tabka dhe Baas në perëndim të Rakka-s dhe diga Tishrin në lindje të Halepit që nodhen mbi Lumin Eufrat, sigurojnë një pjesë të madhe të nevojave të vendit për energji elektrike dhe ujitje. Siç thuhet, përafërsisht 70 për qind e nevojave të energjisë elektrike të Sirisë plotësohen nga këto tri diga.
- DAESH ka mbaruar, por vazhdon projekti i PKK-së
SHBA deri më sot ka justifikuar mbështetjen e saj për YPG/PKK si një mbështetje taktike afatshkurtër për t'i dhënë fund DAESH-it. Por në fazën kur DEASH është eliminuar në masë të madhe dhe është bllokuar në një territor të vogël në kufi me Irakun, ajo vendosi në zbatim planin e "ushtrisë YPG/PKK".
Shtabi i Përgjithshëm i SHBA-së ka njoftuar se kanë trajnuar 20 për qind të një force prej 35-40 mijë njerëzish të cilët ata i kanë parë si të nevojshëm në rajonin nën pushtimin e YPG/PKK-së.
Po ashtu, edhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes më parë kishte njoftuar se nga YPG/PKK do të formonin një rojë kufitare.
Së fundi, qeveria amerikane ka bërë të ditur se me pikat e vëzhgimit që do të formonte në lindje të Eufratit, synonte të mbronte YPG/PKK-në nga "ngacmimet" e Turqisë.
Burimet turke të sigurisë, në një vlerësim për AA-në kanë tërhequr vëmendjen se SHBA-ja ka filluar ndërtimin e pikave të vëzhgimit me qëllim për të mbrojtur organizatën nga Turqia. Burimet po ashtu theksuan se pala amerikane për një periudhë afatmesme dëshiron që YPG/PKK-në nën emërimin "forca e sigurisë lokale" ta shndërrojë në një ushtri të rregullt dhe ta bëjë atë të përhershëm në rajon.
Autor: Levent Tok / Mohamad Misto / Adham Kako