Bota

Statuja e Xhingis Han në lartësi prej 40 metra, atraksion i vërtetë në Mongoli

Statuja u ndërtua afër lumit Tola, kurse Mongolët mendojnë se është e detyrueshme të vijnë këtu të paktën një herë në vit për të ruajtur kujtesën e heroit të tyre kombëtar

Vesna Besiç  | 15.08.2019 - Përdıtësım : 20.08.2019
Statuja e Xhingis Han në lartësi prej 40 metra, atraksion i vërtetë në Mongoli ( Fırat Yurdakul - Anadolu Agency )

Ulanbatur

 Statuja e Xhingis Han, themeluesit dhe perandorit të Perandorisë Mongole, në një lartësi prej 40 metrash, tërheq vëmendje të madhe nga turistët e zonës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ndodhet në zonën Tsonjin-Boldog, një orë nga Ulanbatur, kryeqyteti i Mongolisë. Statuja u ndërtua afër lumit Tola, kurse Mongolët mendojnë se është e detyrueshme të vijnë këtu të paktën një herë në vit për të ruajtur kujtesën e heroit të tyre kombëtar.

Statuja e Xhingis Han është e gdhendur në pozicionin ulur mbi kalë dhe duke shikuar stepat mongole, ku kishte lindur. Baza e monumentit është një dhomë me tridhjetë e gjashtë ndarje.

Në themelin e saj ka shumë ndërtesa, si restorante, kafene, dyqane suveniresh, një muze historie si dhe një galeri ku ekspozohen punimet e artistëve vendas. Veçanërisht interesante është harta e madhe që varet në mur, duke nxjerrë në pah të gjitha zonat që dikur kishte pushtuar Xhingis Han. Gjithashtu, vëmendjen tërheq dhe një kamxhik prej ari dy metra i gjatë. Statuja është e lartë 40 metra.

Besohet se askund në botë nuk ka një statujë të tillë kalorëse. Në një lartësi prej tridhjetë metrash është koka e kalit, në të cilin arkitektët dhe skulptorët ngritën një platformë. Turistët mund të ngjiten me një vinç.

Xhingis Han, i lindur si Temujin, ishte themeluesi dhe perandori i madh i Perandorisë Mongole, e cila u bë perandoria më e madhe kontinentale në histori pas vdekjes së tij.

Ai erdhi në pushtet duke bashkuar shumë prej fiseve nomade të Azisë Verilindore. Pas vendosjes së Perandorisë Mongole, filloi pushtimi Mongol i cili rezultoi me pushtimin e një pjese të madhe të Eurazisë. Ai bëri gjithashtu dyndje ose pushtime të Perandorisë Qara Khitai, Kaukazit, Perandorisë Khorezm, Perandorisë Tangut dhe Perandorisë Jin.

Xhingis Han vdiq në 1227 pasi mposhti Perandorinë Tangut. Ai është varrosur në një varr të pa shënuar diku në Mongoli në një vend të panjohur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın