Alyssa Mcmurtry
27 shtator 2023•Përditësim: 28 shtator 2023
Udhëheqësi i Partisë Popullore konservatore të Spanjës, Alberto Nunez Feijoo dështoi në përpjekjen e tij të parë për formimin e qeverisë të mërkurën, raporton Anadolu.
Feijoo ka nevojë për një shumicë absolute prej 350 deputetëve të Parlamentit të Spanjës për të mbështetur qeverinë e tij. Por, së bashku me Partinë e tij Popullore dhe mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë Vox, partisë nga Ishujt Kanarie dhe partisë nga Navarra, ai mblodhi vetëm 172 vota.
Blloku më i madh i përbërë nga partitë rajonale dhe të krahut të majtë votoi kundër tij. Gjatë orëve të debatit para votimit, ishte e qartë se Feijoo do të humbiste në votim.
Siç vuri në dukje Aitor Esteban i partisë baske PNV, nëse Feijoo arrinte marrëveshje me partitë baske ose katalonjase, të cilat mund të jenë vendimtare, partia e ekstremit të djathtë Vox nuk do ta mbështeste atë. Por, për sa kohë ai ka pakt me Vox-in, partitë baske dhe katalonjase do të qëndrojnë larg.
Feijoo pranoi shumë gjëra dhe në vend se të bënte pazare me partitë baske apo katalonjase, ai dyfishoi qëndrimin e tij të ashpër kundër grupeve separatiste. Gjatë debatit të së martës, ai tha se nëse zgjidhej, kodit penal do t'ia shtonte "mosbesnikërinë institucionale" dhe do të rriste dënimet për keqpërdorimin e fondeve, një krim me të cilin përballen aktualisht disa politikanë katalonjas.
"E vetmja gjë që ai propozon për problemet kombëtare është të hedhë më shumë benzinë në zjarr, plotësim të kodit penal dhe më shumë gjykata", tha Esteban.
Kryeministri në detyrë i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili po negocion me partitë separatiste, ka shanse më të mira për formimin e qeverisë. Por, mbetet e paqartë nëse blloku i tij do të dorëzohet ndaj kërkesave për amnisti për politikanët katalonjas që ende përballen me akuza për aktivitetet e pavarësisë në vitin 2017.
Sanchez nuk ka biseduar me Feijoo-n dhe e ka quajtur përpjekjen e tij "një humbje kohe". Feijoo do të përballet me një tjetër votim të premten, ku i duhet shumicë e thjeshtë për ta mbështetur. Bazuar në rezultatet dhe debatin e së mërkurës, ky rezultat duket shumë i pamundur.
"Të paktën asnjë nga anëtarët e grupit tim nuk do të duhet të votojë kundër parimeve të tyre", tha Feijoo, në përfundim të debatit.