Derya Gülnaz Özcan,Tevfik Durul
15 Dhjetor 2021•Përditësim: 15 Dhjetor 2021
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares Bueno tha se janë për vendosjen e një dialogu konstruktiv mes Turqisë dhe Greqisë dhe zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve në bazë të ligjit evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Albares i bëri këto vlerësime në konferencën e përbashkët me homologun e tij grek Nikos Dendias në Athinë pas një takimi që zhvilluan.
Ai theksoi se Greqia dhe Spanja janë dy vende aleate që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. "Ashtu si të gjitha vendet e tjera të BE-së, Greqia mund të jetë e sigurt se Spanja do të veprojë gjithmonë brenda kornizës evropiane dhe në përputhje me vendimet e përbashkëta evropiane" u shpreh ai.
Albares tha se Spanja është e hapur për bashkëpunim me Athinën për çështje të tilla si turizmi, tregtia, lufta kundër COVID-19 dhe arsimi.
Kryediplomati spanjoll bëri të ditur se janë për vendosjen e një dialogu konstruktiv mes Turqisë dhe Greqisë dhe zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve në bazë të ligjit evropian.
Nga ana tjetër, Dendias duke tërhequr vëmendjen në thellimin e marrëdhënieve Spanjë-Turqi, potencoi se vendet anëtare të BE-së janë të detyruara të mos eksportojnë pajisje dhe teknologji ushtarake që mund të përdoren në "veprime agresive apo destabilizuese për rajonin".