Ekip
11 Nëntor 2019•Përditësim: 12 Nëntor 2019
Korporata e teknologjive të eksplorimit të hapësirës SpaceX ka lançuar 60 mini satelitë, grupi i dytë i rrjetit orbital që synon të sigurojë mbulimin global të internetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raketa Falcon u lëshua sot nga Cape Canaveral, Florida, ndërsa satelitët kompakt të panelit të sheshtë, nga 260 kilogram secila, do të bashkohen me 60 satelitët tjerë të lançuar në muajin maj.
Themeluesi i SpaceX, Elon Musk, dëshiron të vendosë mijëra satelitë të tillë Starlink në orbitë, për të ofruar kudo shërbim të internetit me shpejtësi të lartë. Ai vitin e ardhshëm planifikon të fillojë këtë shërbim në SHBA dhe në Kanada.
Kjo ishte nisja e katërt e këtij përforcuesi të fazës së parë, më së shumti për SpaceX.