Mohamad Misto
12 Qershor 2017•Përditësim: 12 Qershor 2017
DERA/ANKARA (AA) - Regjimi i Bashar al Asadit në Siri vazhdon të sulmojë në mënyrë intensive qytetin Dera në jug të vendit. Krahas bombave fuçi, kundër popullatës janë duke u përdorur edhe bomba napalm të cilat shkaktojnë zjarr, raporton Anadolu Agency (AA).
Amir Ebu Zejd, zyrtar i mbrojtjes civile në Dera, për AA tha se avionët e regjimit dje pandërprerë kanë sulmuar me bomba napalm lagjet e banuara.
Ndërkaq, sulmet kanë vazhduar edhe me bomba fuçi, teksa të paktën dhjetë civilë kanë ngelur të plagosur.
Për shkak të luftimeve të ashpra, dëmi më i madh është shkaktuar në lagjen Menshije, ku zjarr i madh i ka kapluar shtëpitë.
Qyteti i Deras përbëhet nga dy pjesë, Dera Mahata (qyteti i ri) dhe Dera Beled (qyteti i vjetër). Forcat e regjimit kontrollojnë pjesën më të madhe të Dera Mahatasë.
Në përgjithësi, opozitarët kontrollojnë 45 për qind të qytetit. Para katër muajve, ata kishin filluar operacion të gjerë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive ajrore të regjimit, duke marrë pjesën më të madhe të lagjes Menshije. Ata iu kundërvihen forcave të regjimit për ta penguar avancimin e tyre përmes kësaj lagjeje.
Ndryshe, Dera bën pjesë në mesin e "zonave jokonfliktuale" të cilat parashihen të formohen përmes marrëveshjes së nënshkruar mes Rusisë, Turqisë dhe Iranit në mbledhjen në Astana më 4 dhe 5 maj.