Kasım İleri
20 qershor 2017•Përditësim: 21 qershor 2017
WASHINGTON (AA) - Koalicioni anti-DEASH i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka deklaruar se një avion amerikan i tipit F15-E në Siri ka rrëzuar fluturaken e dytë pa pilot të tipit Shahed-129, prodhim iranian, të cilën e ka përkufizuar si "pro-regjimit", raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e koalicionit thuhet se fluturakja iraniane është rrëzuar në rajonin El Tanf në jug të Sirisë pasi është afruar pranë forcave të koalicionit.
"Fluturakja pa pilot pro-regjimit e tipit Shahed-129 u rrëzua në orën 12:30 të natës nga avioni amerikan F-15E Strike Eagle pasi shfaqi qëllimin armiqësor dhe vazhdoi të afrohet drejt forcave të koalicionit", thuhet në deklaratë.
Siç bëhet e ditur në deklaratë, vendi ku është rrëzuar fluturakja është po ai vend ku ishte rrëzuar edhe fluturakja më 8 qershor. Sipas deklaratës, avioni F-15E fillimisht i ka interceptuar fluturaken, kurse pasi ajo ka vazhduar rrugën, avioni amerikan ka hapur zjarr.
Në deklaratë theksohet se koalicioni ka paralajmëruar përmes Rusisë të gjitha palët në Siri që të mos hyjnë në zonën ndarëse në rajonin El Tanf dhe se nuk do të tolerohen sjelljet armiqësore kundër forcave anti-DEASH. "Në mënyrë që të parandalohen paqartësitë në një hapësirë ajrore tejet të dendur dhe në mënyrë që t'u shmangemi keqllogaritjeve strategjike, me Rusinë aktualisht ekziston një kanal ndarës", potencohet në deklaratë.