Lina Altawell
09 janar 2026•Përditësim: 10 janar 2026
Një udhëheqës i lartë i organizatës terroriste ISIS (DEASH) është arrestuar gjatë një operacioni sigurie në Siri, njoftoi ministri i Brendshëm i vendit, transmeton Anadolu.
"Njësi të specializuara që vepronin në koordinim të drejtpërdrejtë me Shërbimin e Përgjithshëm Sirian të Inteligjencës, arrestuan komandantin ushtarak të ISIS-it për Vilajetin e Shamit në një operacion të përbashkët sigurie, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme kundër terrorizmit", tha Anas Khattab në një postim në platformën sociale amerikane X.
"Operacioni nënvizon vendosmërinë e qeverisë për ta mposhtur terrorizmin, duke theksuar se përpjekjet e fundit të përbashkëta kanë çuar në arrestimin e dy udhëheqësve provincialë dhe neutralizimin e një tjetri ndërsa operacionet vazhdojnë për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin", shtoi ai.
Më herët, Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA) raportoi se arrestimi ishte kryer nga shërbimi i inteligjencës dhe Ministria e Brendshme e vendit, por pa dhënë detaje të tjera.
Siria iu bashkua zyrtarisht koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja kundër ISIS-it më 12 nëntor. Koalicioni u formua në vitin 2014 dhe ka kryer operacione ushtarake kundër grupit terrorist në Siri dhe Irak, ndonëse Damasku më parë nuk ishte anëtar i tij.
Administrata e re siriane ka punuar për forcimin e masave të sigurisë në mbarë vendin që nga rënia e regjimit të Bashar al-Asadit në fund të vitit 2024.