Burak Bir
03 Shkurt 2020•Përditësim: 03 Shkurt 2020
Të paktën katër ushtarë turq ranë dëshmorë dhe nëntë të tjerë u plagosën si pasojë e granatimeve intensive nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit në veriperëndim të Sirisë, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, ministria tha se ushtarët, të cilët u dërguan si përforcim në rajon me qëllim të parandalimit të konflikteve në zonën e deeskalimit të Idlibit, u sulmuan nga forcat e regjimit, edhe pse pozicionet e tyre ishin të koordinuara më parë.
Një prej ushtarëve të plagosur është në gjendje kritike, tha ministria, duke shtuar se Forcat e Armatosura Turke u janë përgjigjur sulmeve dhe kanë shkatërruar objektivat.
Shkelje e armëpushimit
Nga 9 janari, Rusia kishte njoftuar zbatimin e armëpushimit në Idlib, por sulmet tokësore të regjimit dhe grupeve terroriste të mbështetura nga Irani kishin vazhduar.
Më pas, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe ai rus Vladimir Putin gjatë takimit në Stamboll më 8 janar kanë rënë dakord që armëpushimi të fillojë nga mesnata e 12 janarit, por regjimi sërish ndërmori sulme ajrore ndaj vendbanimeve civile.
Gjatë takimit të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në maj të vitit 2017 në Astana të Kazakistanit, Idlibi u shpall zonë e deeskalimit, ku aktet e agresionit do të ndaloheshin.
Turqia dhe Rusia arritën një marrëveshje shtesë në shtator të vitit 2018 në Soçi si pasojë e shkeljes së armëpushimit nga ana e regjimit sirian.
Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.
Rusia, regjimi dhe terroristët e mbështetur nga Irani, vetëm nga fillimi i vitit 2019 kanë shkaktuar migrimin e rreth 1.300.000 civilëve në afërsi të kufirit me Turqinë.