Bota, Koronavirusi

Sipas francezëve, Macron i pasuksesshëm në menaxhimin e pandemisë

Francezët që jetojnë në Paris shprehen të pakënaqur nga masat kufizuese, ndërkohë që restorantet po përjetojnë dëm të madh për shkak të ndalesës së lëvizjes pas orës 21:00

Yusuf Özcan, Alaattin Doğru  | 23.10.2020 - Përdıtësım : 23.10.2020
Sipas francezëve, Macron i pasuksesshëm në menaxhimin e pandemisë

Paris

YUSUF ÖZCAN, ALAATTİN DOĞRU

Francezët mendojnë se qeveria e presidentit Emmanuel Macron nuk po mund ta menaxhojë periudhën e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), ndërkohë që restorantet po dëmtohen ekonomikisht për shkak të masave të marra.

Që nga fillimi i pandemisë, Franca ka tërhequr vëmendjen si "vendi ku është regjistruar numri më i lartë i rasteve ditore në Evropë". Më 22 tetor, me 42.622 raste të reja në Francë, u regjistrua numri më i lartë ditor i rasteve si në vend, ashtu edhe në mbarë Evropën që nga fillimi pandemisë.

Franca, një nga vendet më të prekura nga vala e dytë, ka vendosur që për katër javë të zbatohet ndalesë qarkullimi nga ora 21:00 deri në ora 06:00 në dhjetëra rajone, përfshirë Parisin dhe rrethinën e tij, si dhe qytetet Grenoble, Lille, Lyon, Aix-en-Provence, Marseille, Rouen, Toulouse dhe Montpellier, si pjesë e luftës kundër COVID-19. Gjatë këtyre orëve, restorantet dhe bizneset mbahen të mbyllura.

"Gjendja e spitaleve duhet të përmirësohet, mundësitë e tyre duhet të rriten"

Francezë dhe pronarë të restoranteve në Paris u prononcuan për Anadolu Agency (AA) në lidhje me rrjedhën e pandemisë, masat e marra dhe procesin e trajtimit për COVID-19 në spitale.

Një grua e re franceze, Marie, e cila nuk deshi ta shpaloste mbiemrin e saj, tha se po mbizotëron një situatë e paqëndrueshme dhe shqetësuese në vend për sa i përket pandemisë.

"Kemi arritur në një nivel të frikshëm për shkak të mungesës së mundësive në spitale”, tha Marie, duke theksuar pamjaftueshmërinë e masave për të frenuar pandeminë.

"Unë nuk e kuptoj pse u mor vendimi për ndalesë lëvizjeje kur mjetet e transportit janë të mbushura plot, të gjithë qëndrojnë së bashku në vendet e punës, shkollat ​​janë të hapura. Andaj, nuk e shoh logjike”, vlerësoi ajo.

Duke deklaruar se ajo i sheh masat kundër COVID-19 të zbatuara nga qeveria Macron si "qesharake, anti-sociale dhe të tmerrshme", Marie tha se "Situata e spitaleve duhet të përmirësohet dhe mundësitë e tyre të rriten”.

“Qeveria thotë se ‘jemi në luftë’, por ne nuk duam ta dëgjojmë këtë gjë më. Kjo është një mbulesë që e kanë shpikur për ta mbuluar këtë dështim”, shtoi ajo.

"Kur të mësoni se jeni pozitiv, nuk pranoheni në spital"

Ndërkohë, Vincent Honin deklaron se po përpiqen ta kapërcejnë periudhën e pandemisë me dëmin më të vogël. Ai shprehet se arritjet e qeverisë Macron në tejkalimin e pandemisë ngjallin pikëpyetje.

"Ne jemi të shqetësuar nëse do të zbatohet një karantinë e dytë. Nëse merren hapat e nevojshëm dhe u jepet mbështetje sektorëve që janë në situatë të vështirë, atëherë këto hapa do të kenë kuptim”, thotë Honin.

Po ashtu, Hasan Benseghir vuri në dukje se qeveria ka marrë masa shumë të rrepta kundër virusit. Ai mendon se këto masa janë marrë me ngut pa konsultime dhe se qeveria është kapur e papërgatitur për valën e dytë. Benseghir theksoi se për kët arsye, janë marrë shumë vendime të gabuara.

Benseghir shprehet se vendimi i ndalesës së lëvizjes pas orës 21:00 ka vënë në një bllokim të madh tregtarët që tashmë ishin duke përjetuar vështirësi ekonomike, duke shtuar se qeveria nuk ndërmori hapat e nevojshëm për ta eleminuar këtë.

Ai tregoi se i ka mbijetuar koronavirusit me simptoma të lehta, por vëllai i tij binjak e ka tejkaluar më rëndë.

"Kur mësoni se jeni pozitiv me COVID-19, nuk pranoheni në spital, ju thuhet se do të qëndroni në shtëpi për 14 ditë. Edhe nëse ka raste të rënda në Francë, është e vështirë të hyhet në spital, çdo ditë ka më shumë se 20 mijë raste. Spitalet janë të tejmbushura”, thotë Benseghir.

"Si do të ndikojë pozitivisht mbyllja e restoranteve në orën 21:00 në rrjedhën e pandemisë"

Julien Bertrand, pronari i restorantit Bakus pranë Operës, një nga sheshet historike dhe turistike të Parisit, tha se detyrohet ta mbyllë restorantin herët për shkak të ndalesës së lëvizjes. Ai thekson se një numër i konsiderueshëm i klientëve kanë ardhur në restorant pas orës 21:00 dhe se ai ka përjetuar një humbje serioze të qarkullimit.

"Unë nuk e di se si mbyllja e restoranteve në orën 21:00 ndikon pozitivisht në rrjedhën e pandemisë. Duhet të na lejojnë të punojmë më shumë. Ne u bindemi të gjitha masave parandaluese. (Masat e qeverisë Macron) Janë kufizuese. Në nëntor, restorantet gjithashtu mund të mbyllen”, tha Bertrand.

Bertrand gjithashtu deklaroi se është infektuar me COVID-19 në fillim të marsit, por nuk ka mundur të shkonte në spital.

"Fatkeqësi për restorantet"

Merza, përgjegjës restoranti i cili nuk dëshiroi ta shpalosë mbiemrin e tij, në lidhje me masat e marra nga qeveria Macron tha:

"Është një katastrofë. Është më mirë t’i mbyllësh restorantet plotësisht sesa në orën 21:00, për shkak se njerëzit dalin dhe shkojnë në restorant pas orës 20:00. Kjo masë është një fatkeqësi për restorantet. Ne po përjetojmë një humbje 60 për qind të qarkullimit për shkak të ndalesës së lëvizjes”.

Në lidhje me mbështetjen financiare të Macronit për restorantet në kuadër të masave, ai theksoi se kjo mbështetje “është me të vërtetë e pamjaftueshme”.

“Unë paguaj qira prej 6 mijë eurosh në muaj. Nuk po mund ta paguaj këtë çdo muaj", theksoi Merza.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın