Elena Teslova
06 Dhjetor 2016•Përditësim: 06 Dhjetor 2016
MOSKË (AA) – Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka bërë të ditur se mbledhja mes Rusisë dhe SHBA-ve në lidhje me Halepin që planifikohej të mbahej në Gjenevë është anuluar për shkak të mospjesëmarrjes së SHBA-ve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën për media që u organizua pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland i cili ka vizituar Moskën për takime zyrtare, Lavrov ka vlerësuar krizën në Siri dhe gjendjen në Halep.
Lavrov ka thënë se takimi që do të mbahej në Gjenevë me SHBA-të dhe që do të përcaktonte kalendarin e largimit të grupeve të armatosura nga Halepi është anuluar për shkak të mospjesëmarrjes së SHBA-ve.
“SHBA-të tërhoqën mbrapa rekomandimet e tyre në lidhje me Halepin. I tërhoqën edhe dokumentet që kishin prezantuar. Ndërkaq, dokumenti i ri që kanë prezantuar është dokument që është përgatitur për të fituar kohë”, ka thënë Lavrov.
Duke rikujtuar se disa grupe të armatosura në lindje të Halepit nuk duan ta braktisin rajonin, Lavrov u shpreh se “Në çdo mënyrë, grupet e armatosura që nuk dëshirojnë ta braktisin Halepin me dëshirën e tyre do të asgjësohen.”