Ekip
16 Mars 2017•Përditësim: 16 Mars 2017
PARIS (AA) – Në zyrën e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Paris ka ndodhur shpërthimi i një bombe, ku si pasojë një person është lënduar, njoftoi policia franceze, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një zyrtar francez konfirmoi se gjatë shpërthimit të bombës, deri te e cila erdhi me hapjen e një zarfi, nuk ka pasur dëm të madh material.
Ende nuk dihet se kush e ka dërguar letrën, ndërsa ekspertët policor gjenden në vendngjarje.
Zyra e FMN-së në Paris ende nuk është prononcuar për këtë ngjarje.
Drejtoresha e FMN-së Lagarde: E dënojmë aktin qyqar
Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Christine Lagarde sulmin mbi Zyrën e organizatës në Paris e quajti “akt qyqar të dhunës”.
Legarde lëshoi një njoftim pasi në Paris gjatë shpërthimit të bombës, që ndodhi me hapjen e një zarfi, u plagos një person.
Drejtoresha shtoi se është plagosur një i punësuar. “E dënojmë këtë akt qyqar të dhunës dhe konfirmoj vendosmërinë e FMN-së që të vazhdojë punën e saj. Bashkëpunojmë ngusht me zyrtarët francezë me qëllim që ky rast të hetohet dhe të ofrohet siguri për të punësuarit”, deklaroi Lagarde.
Policia franceze pas shpërthimit evakuoi 150 persona në afërsi të vendit të shpërthimit, me ç’rast janë marrë masa të larta të sigurisë.
Në Francë ende në fuqi është gjendja e jashtëzakonshme pas serisë së sulmeve terroriste gjatë dy viteve të fundit.