Ruslan Rehimov
16 Mars 2017•Përditësim: 16 Mars 2017
BAKU (AA) - Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se projektet pozitive në fushën e energjisë dhe transportit të realizuara me Turqinë, i kanë zgjeruar drejt Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).
Aliyev në fjalimin e tij në hapjen e Forumit të 5-të Global në Baku, duke folur në lidhje me krizën e migrantëve theksoi se kjo është një fatkeqësi e madhe njerëzore.
Ai shtoi se kriza e migrantëve është shfaqur si pasojë e intervenimeve të jashtme politike dhe ushtarake në disa vende. Sipas tij, vendet e Evropës ku shkojnë migrantët nacionalizmi dhe radikalizmi ka shënuar rritje.
Më tej Aliyev rikujtoi se në fushatat zgjedhore të kohëve të fundit në Evropë, po përdoren slogane raciste kundër refugjatëve dhe se komuniteti botëror duhet të reagojë ndaj kësaj.
Presidenti i Azerbajxhanit Aliyev, gjithashtu duke folur për konfliktin Armeni-Azerbjaxhan dhe çështjen e Malësisë së Karabakut, tërhoqi vëmendjen se si pasojë e okupimit një milion persona janë shndërruar në migrantë, ndërsa në rajonet e okupuara armenët janë duke i shkatërruar pasuritë historike dhe kulturore.
"Hekurudha Baku-Tbilis-Kars, projekt i cili i bashkon kontinentet"
"Jemi duke bërë linjë hekurudhore me Turqinë dhe Gjeorgjinë (Baku-Tbilis-Kars). Kjo në fakt do të jetë një projekt i cili i bashkon kontinentet. Ne nuk mundeshim të bëjmë tregti pa këtë hekurudhë. Por ne si tre vende dëshiruam që ti bashkojmë të dyja kontinentet. Kjo linjë është korridori më i shkurtër nga Azia për në Evropë", tha Aliyev duke përmendur projektet energjetike dhe të transportit me shtetet fqinje.
Ai gjithashtu duke folur për Projektin e Korridorit Jugor të Gazit, projekt i cili gazin natyror të Azerbajxhanit do ta bart në Evropë, tha: "Këtë projekt jemi duke e realizuar me pjesëmarrjen e suksesshme të shtatë vendeve, siç janë: Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turqia, Greqia, Bullgaria, Shqipëria dhe Italia. Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Kroacia gjithashtu do të marrin pjesë. Projekti kap vlerën në 40 miliardë dollarë. Bashkëpunimin tonë me Turqinë e zgjeruam drejt Evropës".
Në Forumin i cili po mbahet nën organizimin e Qendrës Ndërkombëtare Nizam Gencevi me mbështetjet e Komitetit Shtetëror përgjegjës nga Diaspore e Azerbajxhanit marrin pjesë liderë nga rajoni si dhe nga bota, si Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanovic dhe zyrtarë nga 53 vende të ndryshme.
Forumi me temë "E Ardhmja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare: Pushteti dhe interesat", do të vazhdojë me seanca të ndryshme.