Burç Eruygur
23 Qershor 2023•Përditësim: 27 Qershor 2023
Vullkani Klyuchevskaya në rajonin Kamchatka në Rusinë lindore ka shpërthyer, transmeton Anadolu.
"Një shpërthim i tipit Strombolian filloi në vullkanin Klyuchevskaya", tha Olga Girina, drejtuese e Grupit të Reagimit ndaj Shpërthimeve Vullkanike Kamchatka (KVERT), për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA të enjten.
Girina tha se një "anomali e ndritshme termike" u regjistrua në imazhet satelitore, duke shtuar se në vullkan u regjistruan disa lëkundje.
Ajo theksoi se shpërthimi aktualisht nuk përbën kërcënim për popullsinë vendase apo trafikun ajror, pasi ende nuk janë vërejtur emetime të hirit.
Me një lartësi prej 4.750 metrash, Klyuchevskaya Sopka është vullkani më i lartë aktiv në Euroazi. Shpërthimi i fundit i tij ndodhi në tetor të vitit 2020.
Vendbanimi më i afërt është afërsisht 30 kilometra nga krateri i vullkanit.