Besar Ademi
18 Prill 2016•Përditësim: 19 Prill 2016
SHKUP (AA) – Mijëra qytetarë në Shkup edhe këtë javë e nisën me protesta duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Gjorge Ivanov, i cili të martën e kaluar solli vendim për faljen e politikanëve nga ndjekja penale, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas tyre, presidenti duhet të jap dorëheqje sepse vendimi i tij është “një tentativë e turpshme për të penguar drejtësinë me faljen e kriminelëve”, ndërkohë që kërkojnë edhe suspendim urgjent të procesit të filluar për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.
Protestuesit thonë se fillimi i procesit për zgjedhjen e qeverisë së ekspertëve do të përgatitë terrenin për zgjedhje të lira dhe demokratike, si dhe do të mundëosjë që politikanët dhe pushtetarët të ballafaqohen me drejtësinë për veprat e bëra penale.
Qytetarët e organizuar nga dhjetëra organizata joqeveritare u tubuan para zyrës së Prokurorisë Speciale Publike për t’i dhënë mbështetje të vazhdojë me hetimet dhe vazhduan protestën rrugëve të Shkupit, për të përfunduar para godinës së Qeverisë.
Protestuesit para se të arrijnë tek Qeveria, kaluan nëpër disa institucione shtetërore të vendit, ku ndaluan në Ministrinë e Kulturës dhe e sulmuan me vezë dhe ngjyrë.
Protestat filluan që nga e marta e kaluar, kur presidenti Ivanov solli vendimin për faljen e të gjithë politikanëve, ndërsa ditën e sotme përveç se në kryeqytetin e Maqedonisë, protesta janë mbajtur edhe nëpër qytetet tjera të vendit.