Ayhan Şimşek
18 Janar 2023•Përditësim: 18 Janar 2023
Ministri i sapoemëruar gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka deklaruar se Gjermania në mënyrë “indirekte” është e përfshirë në luftën në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për gazetarët në Hannover, politikani veteran tha se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vendosur mbi supet e tij.
“Ministria e Mbrojtjes është një sfidë e madhe edhe në kohë paqeje dhe në kohën kur Republika Federale e Gjermanisë është e përfshirë në një luftë, në mënyrë indirekte, kjo është edhe më shumë realitet”, tha Pistorius.
Pistorius tha se do të punojë për të përforcuar forcën e armatosur gjermane dhe për ta bërë atë të aftë për të adresuar sfidat e reja të sigurisë.
Kancelari Olaf Scholz zgjodhi politikanin social-demokrat si ministrin e ri të mbrojtjes së vendit, pas konsultimeve të ngushta me kolegët e tij të partisë.
Pistorius ka qenë ministër i brendshëm federal i Saksonisë së Poshtme që nga viti 2013, ndërsa më parë ka shërbyer si kryebashkiak i qytetit Osnabruck.
Ministri i ri do të marrë certifikatën e tij të emërimit nga presidenti Frank-Walter Steinmeier dhe do të betohet në parlament në të njëjtën ditë.
Politikani 62-vjeçar do të zëvendësojë Christine Lambrecht-in, e cila dje dha dorëheqje nga posti i saj pas një sërë dështimesh politike.
Lambrecht u kritikua gjerësisht nga partitë opozitare për dështimin e saj për të treguar lidership, për neglizhencën ndaj problemeve të rënda të forcave të armatosura dhe për ngadalësimin me dërgesat e armëve në Ukrainë.