Islam Uddin
18 Maj 2023•Përditësim: 19 Maj 2023
Shefat e diplomacisë të Afganistanit dhe Iranit në një bisedë telefonike kanë diskutuar mosmarrëveshjen e gjatë të çështjes së ujit midis dy vendeve, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Afganistanit, gjatë bisedës ndërmjet ministrit në detyrë të administratës talebane, Amir Khan Muttaqi dhe homologut të tij iranian, Hossein Amirabdollahian, u diskutuan çështje të ndryshme.
"Gjatë kësaj bisede telefonike, ministrat e jashtëm të dy vendeve diskutuan dhe shkëmbyen mendime për çështje me interes mes dy vendeve dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, veçanërisht në tregti, energji elektrike dhe hekurudha", shkroi në Twitter Hafiz Zia Ahmad, zv.zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Afganistanit.
Ahmad tha se Muttaqi ka përshkruar problemet e mungesës së ujit dhe reshjeve të pakta në rajonet perëndimore të Afganistanit, duke theksuar qëndrimin zyrtar të vendit të tij sipas marrëveshjes ekzistuese dypalëshe.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit tha se Amirabdollahian kërkoi nga homologu i tij afgan që të lirojë ujin dhe të lehtësojë vizitën nga një ekip i përbashkët teknik në digën Kajaki në Afganistanin jugor.
"Ai theksoi zbatimin e rreptë dhe të plotë të pikave të parashikuara në traktatin 1351 (të vitit 1973) në lidhje me provincën Helmand, duke përfshirë mundësinë e një komiteti teknik të përbashkët midis dy vendeve që vizitojnë situatën e ujit në anën afgane dhe e quajti atë shumë të rëndësishme për Iranin", shkroi ministria iraniane në Twitter.
Zhvillimi i fundit vjen pasi ligjvënësit iranianë i kërkuan qeverisë së presidentit Ebrahim Raisi që ta trajtojë këtë çështje me administratën talebane në Kabul.
Si element qendror i mosmarrëveshjes për çështjen e ujit midis dy vendeve është lumi Hirmand, i njohur gjithashtu si lumi Helmand, i cili buron në malet Hindu Kush pranë Kabulit dhe pas rrjedhjes së tij prej 700 miljesh derdhet në ligatinat e përrenjve Hamoun të Iranit në provincën Sistan-Baluchestan.
Irani akuzon Afganistanin për kufizimin e rrjedhës së ujit nga lumi Helmand, duke ndërtuar diga mbi të, një akuzë që autoritetet afgane e kanë mohuar.
Sipas një pakti të vitit 1973 midis Teheranit dhe Kabulit mbi ndarjen e ujit, Afganistanit i kërkohet të lejojë mesatarisht 820 milionë metra kub ujë në vit në Iran.
Megjithatë, autoritetet iraniane thanë se vitin e kaluar vetëm 27 milionë metra kub ujë arritën në Iran në vend të 820 milionë metra kub që Iranit i takon sipas traktatit të ndarjes së ujit.