Övünç Kutlu
04 Nëntor 2020•Përditësim: 05 Nëntor 2020
SHBA sot zyrtarisht doli nga Marrëveshja e Parisit, duke u bërë vendi i vetëm ndotës në botë që braktis paktin historik të arritur për të luftuar ndryshimet klimatike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tërheqja e SHBA-së u inicua zyrtarisht nga presidenti Donald Trump me një letër një vit më parë, megjithëse ai e kishte njoftuar vendimin në qershor të vitit 2017.
Trump kishte theksuar se marrëveshja siguronte disavantazhe për SHBA-në për përfitimet e vendeve të tjera dhe se ajo kishte një ndikim negativ në punëtorët amerikanë, vendet e punës, pagat dhe ekonominë e përgjithshme.
Rreth 195 shtete hartuan Marrëveshjen e Parisit për Klimën në vitin 2015 me synimin për të kufizuar rritjen e ngrohjes globale në 1,5 gradë Celsius dhe për të mbajtur rritjen e temperaturës globale nën 2 gradë Celsius në krahasim me nivelet para-industriale.
Masa e presidentit amerikan u kritikua ashpër nga ambientalistët, por u përgëzua nga industria amerikane e naftës, gazit natyror dhe qymyrit, pasi SHBA është bërë prodhuesi më i madh në botë i naftës dhe gazit që nga revolucioni i lëndëve energjetike që filloi në vitin 2008.
Megjithëse Washingtoni ka ndaluar zbatimin e marrëveshjes jodetyruese dhe kërkesat e tij financiare dhe ekonomike në 1 qershor 2017, rregulloret e OKB-së kërkojnë që vendimet e tërheqjes të bëhen zyrtare katër vjet pasi marrëveshja hyri në fuqi më 4 nëntor 2016, rastësisht një një ditë pas zgjedhjeve të SHBA-së të këtij viti.
SHBA, ndotësi i dytë më i madh në botë me karburante fosile dhe emetime të karbonit pas Kinës dhe që përfaqëson 15 për qind të emetimeve globale të gazeve serë, ka sërish mundësinë për t'u ribashkuar në marrëveshje nëse kështu zgjedh një president i ardhshëm.
Kandidati demokrat presidencial dhe ish-nënpresidenti Joe Biden u zotua gjatë fushatës së tij që SHBA do t’i bashkohet marrëveshjes në ditën e tij të parë në zyrë nëse ai zgjidhet.