Bota

SHBA vendos sanksione të reja ndaj Iranit

Sanksionet përfshijnë 50 filiale në sektorë kryesorë, përfshirë energjinë, minierat dhe shërbimet financiare

Övünç Kutlu  | 18.11.2020 - Përdıtësım : 19.11.2020
SHBA vendos sanksione të reja ndaj Iranit

Ankara

Qeveria amerikane vendosi sanksione ndaj një konglomerati të madh iranian dhe ministrit të Inteligjencës së vendit, njoftoi Zyra e Kontrollit të Pasurive të Jashtme (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

OFAC sanksionoi ministrin Mahmoud Alavi pasi SHBA tha se ministria ka luajtur rol qendror në abuzimet e të drejtave të njeriut të regjimit kundër qytetarëve.

Hapi i SHBA-së shënjestroi gjithashtu Fondacionin Mostazafan të Revolucionit Islamik, i njohur gjithashtu si Bonyad Mostazafan, udhëheqjen e tij dhe 50 filiale të tij në sektorët kryesorë iranianë si energjia, minierat, logjistika, teknologjia e informacionit dhe shërbimet financiare.

"Udhëheqësi Suprem i Iranit përdor Bonyad Mostazafanin për të shpërblyer aleatët e tij nën pretendimin e bamirësisë”, tha Sekretari i Thesarit i SHBA-së Steven Mnuchin në deklaratën zyrtare.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shënjestrojnë zyrtarët kryesorë dhe burimet e gjenerimit të të ardhurave që mundësojnë shtypjen e vazhdueshme të regjimit ndaj njerëzve të vet”, ka shtuar ai.

OFAC tha se e gjithë prona e të sanksionuarve do të bllokohet dhe do t'i raportohet qeverisë amerikane, duke shtuar se ata që merren me transaksione me individët dhe subjektet e vendosura në listën e zezë gjithashtu mund të ekspozohen ndaj sanksioneve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın