Dildar Baykan
13 Mars 2021•Përditësim: 13 Mars 2021
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan i përcolli urimet popullit libian për formimin e qeverisë së re nën kryesimin e kryeministrit Abdul Hamid Mohammed Dbeibah, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, Sullivan tha: "Në emër të presidentit Joe Biden, uroj popullin e Libisë për formimin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar në Libi e cila do të drejtojë vendin për zhvillimin e zgjedhjeve kombëtare më 24 dhjetor 2021".
Ai theksoi se të gjithë libianët meritojnë të zgjedhin liderin e tyre në një proces demokratik, të rivendosin sovranitetin e tyre larg nga dhuna dhe ndërhyrja e vendeve të huaja si dhe të garantojnë një të ardhme më të ndritur pas një procesi që ka kaluar rëndë me kryengritje politike dhe një lufte të brendshme që ka vazhduar për vite.
"SHBA-ja qëndron pranë të gjithë atyre që premtojnë zgjedhje. Për të mbështetur përpjekjet e ndërmjetësimit të Kombeve të Bashkuara, me partnerët tanë ndërkombëtarë ne do të jemi inkurajues që të kërkohet llogari ndaj palëve që kërkojnë të minojnë mbajtjen e zgjedhjeve që kanë caktuar libianët", tha Sullivan.
Duke nënvizuar se ka dështuar mendimi për të përshkallëzuar tensionin ushtarak në vend, Sullivan shtoi:
"Për vendet e huaja që dërgojnë mercenarë dhe armë që dëmtojnë popullin e pafajshëm libian, ka ardhur dhe madje ka kaluar koha që të tërhiqen dhe t‘u bashkohen thirrjeve për tranzicion politik paqësor në Libi. Tani për libianët ka një shans për të lënë armët, të zgjidhin në mënyrë paqësore ndryshimet, të kalojnë në fazën e rendit dhe ligjit si dhe të shkruajnë një kapitull më të qëndrueshëm dhe më të begattë për veten në historinë e tyre".