Muhammed Bilal Kenasari
17 Tetor 2017•Përditësim: 17 Tetor 2017
WASHINGTON (AA) - Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për qetësi në Kirkuk të Irakut, duke ftuar palët në rajon t'i kryejnë në mënyrë të koordinuar aktivitetet ushtarake, raporton Anadolu Agency (AA).
"SHBA-të janë të brengosur nga lajmet se përreth Kirkukut kanë ndodhur incidente të dhunës. Ne po i ndjekim zhvillimet nga afër, ndërsa u bëjmë thirrje të gjitha palëve në rajon t'i kryejnë aktivitetet ushtarake në mënyrë të koordinuar dhe të sigurojnë qetësinë", tha zëdhënësja e departamentit Heather Nauert në një deklaratë me shkrim lidhur me zhvillimet në Kirkuk, pasi ushtria e Irakut mori kontrollin e qytetit nga forcat peshmerge.
"Ne u rekomandojmë të gjitha palëve të mos bien pre e provokimeve të armiqve të Irakut të cilët duan konflikte etnike dhe fetare", ka shtuar Nauert.
Nauert po ashtu ka deklaruar se tensionet mes forcave irakiane dhe atyre kurde ndikojnë në luftën kundër organizatës terroriste DEASH. "SHBA-të do të vazhdojnë të punojnë me partnerët e Irakut për mposhtjen e DEASH-it", ka theksuar zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert.
Ndryshe, ushtria e Irakut, policia federale dhe forcat Hashdi Shabi të hënën siguruan kontrollin e plotë të qytetit pasi nisën një operacion për "vendosjen e sigurisë në qytet" dhe marrjen e pikave strategjike të tij.
Operacioni në Kirkuk nga ana e forcave irakiane të sigurisë vjen disa javë pas referendumit të jashtëligjshëm të Administratës Rajonale Kurde për shkëputje nga Iraku të mbajtur më 25 shtator, i cili po ashtu u zhvillua edhe në disa zona të kontestuara, përfshirë Kirkukun.