Hakan Çopur
16 Shtator 2017•Përditësim: 16 Shtator 2017
WASHINGTON (AA) - Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka njoftuar se nuk e mbështet referendumin për pavarësi të qeverisë rajonale kurde në veri të Irakut të planifikuar për më 25 shtator dhe ka bërë thirrje për anulimin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, ka lëshuar një deklaratë me shkrim lidhur me referendumin e planifikuar.
"SHBA-të nuk mbështesin qëllimin e qeverisë rajonale kurde për mbajtjen e një referendumi në fund të këtij muaji. SHBA-të disa herë u kanë thënë liderëve të qeverisë rajonale kurde se ky referendum do ta shkaktojë defokusim në luftën kundër DEASH-it dhe në sjelljen e stabilitetit në rajonet e çliruara", thuhet në deklaratë.
"Referendumi të anulohet"
Sanders ka thënë se mbajtja e referendumit në rajone të kontestuara është haptazi provokativ dhe destabilizues.
"Për këtë arsye, ne i bëjmë thirrje qeverisë rajonale kurde të Irakut verior që ta anulojë referendumin dhe të zhvillojë dialog serioz dhe të vazhdueshëm me Bagdadin. SHBA-të do të luajnë rolin e lehtësuesit në këtë përpjekje", ka thënë Sanders.
Ndryshe, kjo thirrje e Shtëpisë së Bardhë është thirrja e parë për anulimin e plotë të referendumit, pasi deri më tani SHBA-të kishin ftuar në shtyrjen e tij.
Brett McGurk, Përfaqësuesi i Posaçëm i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për Luftën kundër DEASH-it, në një takim ditë më parë me zyrtarë të qeverisë rajonale kurde në Sulejmanije të Irakut, kërkoi që kuvendi i kësaj qeverie ta shtyjë datën e referendumit.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson në muajin gusht kërkoi nga kryetari i qeverisë rajonale kurde, Mesut Barzani shtyrjen e referendumit, ndërsa kjo kërkesë ishte parashtruar disa herë edhe nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert në konferenca për media.
Vendimi për mbajtjen e referendumit më 25 shtator u shpall nga Mesut Barzani pas një mbledhjeje të zhvilluar me partitë politike më 7 qershor.
Ndërkaq, pas shpalljes së referendumit, kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, deklaroi se referendumi "shkel kushtetutën dhe nuk do ta njohin rezultatin e tij".
Edhe Kuvendi i Irakut ka hedhur poshtë referendumin kurd përmes një votimi.
Turqia gjithashtu e hedh poshtë atë, duke thënë se stabiliteti i rajonit varet nga uniteti i Irakut dhe nga ruajtja e integritetit territorial të tij.
Qeveria rajonale po ashtu nuk ka hasur as në mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për referendumin.