Enes Canlı
14 Shkurt 2019•Përditësim: 14 Shkurt 2019
ANKARA (AA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë sulmuar objektivat e Al-Kaedës në jug të Libisë, njoftoi Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e pranuar ndërkombëtarisht, transmeton Anadolui Agency (AA).
SHBA, në bashkëpunim me GNA-në, ka bombarduar objektivat e Al-Kaidës në qytetin jugor Ubari, tha në një deklaratë Mohamed al-Sallak, zëdhënësi i Këshillit Presidencial të qeverisë në fjalë.
"Ky aktivitet i përbashkët i Këshillit Presidencial të GNA-së dhe qeverisë amerikane erdhi pas takimit të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo dhe ministrit të Jashtëm të Libisë Mohamed Siala gjatë mbledhjes së koalcionit ndërkombëtar kundër DEASH-it javën e kaluar", tha Sallak.
Megjithatë, nuk janë dhënë detaje të tjera në lidhje me sulmin.
SHBA edhe më herët ka ndërmarrë sulme ajrore kundër DEASH-it dhe Al-Kaidës në Libi.
Libia, e cila po përgatitet të shënojë tetëvjetorin e rrëzimit të qeverisë së Muammar Gaddafit, është bërë skenë e luftës për qeverisje midis grupeve të armatosura.
Këshilli Presidencial i GNA-së, i cili u formua sipas "Marrëveshjes Politike të Libisë" së arritur në vitin 2015 nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, e ka të vështirë të vendosë autoritetin në mbarë vendin përkundër legjitimitetit ndërkombëtar që gëzon.