Michael Gabriel Hernandez
16 Prill 2021•Përditësim: 16 Prill 2021
Policia në qytetin Chicago të SHBA-së publikoi pamjet e kamerave trupore të enjten, ku tregohet një oficer duke qëlluar për vdekje një djalë 13-vjeçar ndërsa ai kishte duart e ngritura, transmeton Anadolu Agency (AA).
Videoja, e cila u publikua nga Zyra Civile për Përgjegjësinë e Policisë (COPA), tregon oficerin që ishte vënë në ndjekje të Adam Toledo në këmbë më 29 mars të këtij viti, duke i bërtitur që të ndalonte menjëherë vrapimin. Në fund oficeri e kap djalin, duke i drejtuar baterinë e dorës në fytyrë dhe duke e urdhëruar Toledon "më trego duart tua".
Toledo kthehet drejt oficerit, ku shihet se i bindet urdhrave të tij me duart e tij plotësisht ose pjesërisht lart në ajër ndërsa oficeri i thotë që "hidhe! Hidhe"!.
Në video shihet se Toledo nuk mbante asgjë në duar kur brenda një sekonde pas urdhrit të oficerit, ai hap zjarr mbi djalin, duke e qëlluar me një goditje fatale në gjoks ku shihet se si trupi i Toledos rrëzohet në trotuar.
Më pas Toledo shihet duke gulçuar ndërsa ishte i shtrirë në beton. Gjaku i rridhte nga goja dhe hunda dhe mbuloi kapelën e tij të zezë.
Oficeri përmes radios thërret një ambulancë dhe fillon të provojë ta kthejë në jetë me masazh të zemrës, ndërsa oficerët e tjerë vijnë në vendngjarje, përfundimisht duke marrë përsipër ndihmën mjekësore ndaj Toledos.
Policia ka thënë se Toledo kishte një pistoletë kur u qëllua. Videoja, një nga disa të publikuara nga COPA, duket se tregon një oficer tjetër duke ndriçuar me dritë në një armë aty pranë ku ishte shtrirë Toledo.
Mbetet e paqartë se si arriti atje.
Kryebashkiakja e Chicagos, Lori Lightfoot në një konferencë për media tha se videot e Toledos "janë tepër të vështira për t'u parë".
"Ne jetojmë në një qytet që është traumatizuar nga një histori e gjatë e dhunës policore dhe sjelljes së keqe", tha ajo, duke u bërë thirrje banorëve të "presin derisa të dëgjojmë të gjitha faktet".
"Meqë nuk kemi informacione të mjaftueshme për të qenë gjykatës dhe juri e kësaj situate të veçantë, është sigurisht e kuptueshme pse kaq shumë nga banorët tanë po ndiejnë këtë valë të njohur të zemërimit dhe dhimbjes. Madje, është e qartë se besimi midis komunitetit dhe zbatuesve të ligjit është larg nga përmirësimi dhe mbetet i thyer keq", shtoi ajo.
Avokatja e familjes Adeena Weiss-Ortiz tha se pamjet e kamerave të policisë bëjnë të qartë se Toledo u qëllua kur ai nuk kishte armë.
"Unë nuk besoj se ka rëndësi nëse Adam ishte një djalë i korit apo dikush i përfshirë në aktivitete të pahijshme. Ajo që ka rëndësi është se ai u qëllua duke ecur në rrugë i paarmatosur", u tha gazetarëve Weiss-Ortiz gjatë një konference për media. "Këto video flasin vetë", tha ajo.