SHBA ndal shitjen e armëve ndaj policisë filipinase
Gamboa është shprehur se do të rifillojë procesi i tenderit për porosi armësh, duke shtuar se do të marrin në konsideratë ofertat e paraqitura nga shtetet e tjera
Zamboanga
ZAMBOANGA (AA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë ndalur furnizimin e pushkëve mësymëse që qeveria e Filipineve ka porositur për forcat e sigurisë, për shkak të akuzave për vrasje jashtëgjyqësore në operacionet kundër drogës të nisura në këtë vend me urdhër të presidentit Rodrigo Duterte, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas faqes së lajmeve Inquier News e Filipineve, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Archie Francisco Gamboa ka thënë se dorëzimi i 27 mijë pushkëve mësymëse të porositura që pritej të realizohej brenda vitit 2017 është shtyrë për shkak të mosdhënies së lejes për eksport nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Siç theksohet, shtyrja e dorëzimit të armëve ka ndodhur për shkak të akuzave për ekzekutime jashtëgjyqësore dhe shkelje të të drejtave të njeriut gjatë operacioneve kundër drogës në Filipine të nisura me urdhër të presidentit filipinas Duterte.
Gamboa është shprehur se do të rifillojë procesi i tenderit për porosi armësh, duke shtuar se do të marrin në konsideratë ofertat e paraqitura nga shtetet e tjera.
Ndryshe, mbi pesë mijë të dyshuar kanë humbur jetën në operacionet kundër drogës që filluan që kur presidenti Rodrigo Duterte mori detyrën më 30 qershor të vitit 2016.
Për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në operacionet në fjalë, disa senatorë dhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA edhe më parë kanë bërë thirrje për ndaljen e shitjes së armëve policisë së Filipineve.