Moti i ftohtë me acar që ka përfshirë të gjithë SHBA-në ka shkaktuar krizë energjetike, ndryshe nga çdo gjë që është parë prej vitesh në vendin më të madh në botë që konsumon energji, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pothuajse 154 milionë njerëz, gjysma e popullsisë amerikane, ishin nën një lloj alarmi të motit që nga e hëna, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.
Më shumë se 5 milionë qytetarë në të gjithë SHBA-në nuk kishin energji elektrike të hënën për shkak të ftohtit të acartë dhe borës në shtete si Alabama, Kansas, Kentucky, Mississippi, Missouri, Oklahoma, Tennessee dhe Texas, shumica e tyre shtetet të pjesës jugore të vendit të pazakonta për një mot të tillë të ftohtë.
Të paktën 15 persona humbën jetën që nga java e kaluar për shkak të motit, përfshirë aksidentet e trafikut.
Qytetet Dallas, Oklahoma City dhe Kansas City regjistruan temperaturat në nivelet e tyre më të ulëta që nga viti 1989, me këtë të fundit që regjistroi deri në minus 35 gradë Celsius me erëra të ftohta, njoftoi shërbimi i motit të hënën.
Moti i ftohtë që vinte nga Arktiku në Midwest të SHBA-së çoi temperaturat e përgjithshme në nivelet më të ulëta që nga viti 2011, gjë e cila shkaktoi ngrirje të tubacioneve të gazit natyror dhe turbinave me erë dhe mbylljen e puseve të naftës, duke shkaktuar ndërprerje të shpërndarjes së energjisë elektrike në linjat e energjisë dhe ndërprerje masive në disa shtete.
Rriten çmimet e naftës dhe gazit
Tregtarët dhe rafineritë e naftës përpiqen të sigurojnë shpërndarjen fizike të gazit natyror dhe naftës së të papërpunuar, çmimet e naftës dhe gazit u rritën mbi nivelet e tyre mesatare sezonale.
Çmimi i brendit vendor të naftës amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit në 60.92 dollarë për fuçi të hënën, niveli më i lartë i saj që nga janari i vitit 2020 ndërsa Henry Hub, ku përcaktohet çmimi i gazit natyror në Luiziana, arriti në 3.094 dollarë për një milion Njësi termike britanike, niveli më i lartë që nga nëntori i kaluar.
"Megjithëse moti i dimrit deri në janar 2021 ishte i butë, në shkurt moti filloi shumë më i ftohtë", njoftoi Administrata e Informacionit të Energjisë të SHBA-së.
Administrata Kombëtare e Oqeanisë dhe Atmosferës (NOAA) "parashikon temperatura nën-normale në pjesën më të madhe të SHBA-së deri në javën e dytë të shkurtit midis një vorbulle polare", thuhet më tej.
NOAA të premten deklaroi se 2021 regjistroi janarin e shtatë më të ngrohtë të planetit me një rekord të të dhënave 142 vjeçare, ndërsa mbulimi i shtrirjes së akullit të Detit Arktik gjatë janarit ishte 6.5 për qind nën mesataren e tij në periudhën 1981–2010.
NOAA paralajmëroi që vorbulla polare, e përbërë nga një zonë e madhe me presion të ulët dhe ajër të ftohtë që rrethon polet e Veriut dhe Jugut, do të bëhet më pak e qëndrueshme dhe do të zgjerohet duke përçuar ajrin e ftohtë të Arktikut drejt jugut të SHBA-së.
Bllokimet në Teksas
Më shumë se 2 milionë familje në Teksas ishin pa energji të hënën, kurse ndërprerjet pritet të vazhdojnë deri të martën.
Më shumë se 34 gigavat të kapacitetit gjenerues të energjisë elektrike u shuan në shtet, e cila është rreth 40 për qind e kapacitetit total nga vera e kaluar, sipas Këshillit të Besueshmërisë Elektrike të Teksasit (ERCOT).
"Aktualisht të gjitha operatorët e rrjetit dhe të gjitha kompanitë elektrike po luftojnë për rivendosjen e energjisë", tha kryetari dhe drejtori ekzekutiv i ERCOT, Bill Magness të hënën në Twitter, përpara se ERCOT të njoftojë se energjia do të rikthehet në gjysmë milioni familje që nga e hëna në mbrëmje.
Guvernatori Greg Abbott u bëri thirrje qytetarëve në Twitter të dielën të qëndrojnë larg rrugëve, të kursejnë energji, të mbajnë gjeneratorë dhe zgara jashtë dhe të shmangin ngrohjen e shtëpive me furra ose shporet.
Shtetet e tjera
Guvernatorja e Kansasit, Laura Kelly shpalli gjendje emergjence të katastrofës të hënën për shkak të temperaturave ekstreme të ftohta dhe u bëri thirrje qytetarëve të mbyllnin çezmat, të ulnin temperaturën në ngrohëset e ujit dhe të mbyllnin perdet.
"Ne të gjithë duhet të shkurtojmë përdorimin e gazit natyror dhe energjisë elektrike tani për t'u siguruar që të kemi mjaftueshëm në dispozicion për të kaluar këto ditë me temperatura nën zero", tha ajo në një konferencë emergjente.
Divizioni i Kansasit i Menaxhimit të Emergjencave u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë ujë të nxehtë, të bëjnë dushe më të shkurtra, të lajnë vetëm enët dhe rrobat e nevojshme në pjatalarëse dhe lavatriçe dhe të përdorin ujë të nxehtë vetëm kur është domosdoshmërisht e nevojshme.
Guvernatori i Kentucky, Andy Beshear tha se shteti po kalon stuhinë e tretë të dimrit në shtatë ditë dhe paralajmëroi që moti i egër i dimrit mund të vijë në Kentucky të mërkurën ose të enjten.
"Qëndroni larg rrugëve më shumë se kurrë më parë, kujdesuni për njëri-tjetrin, kontrolloni fqinjët tuaj, veçanërisht nëse humbni energjinë dhe keni të moshuar", tha ai gjatë një konference për media të hënën.