Övünç Kutlu
18 Dhjetor 2020•Përditësim: 18 Dhjetor 2020
Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Joe Biden, ka mbrojtur djalin e tij, Hunter Biden, përpara hetimit në vazhdim për mashtrim të mundshëm tatimor, duke theksuar se hetimi po përdoret nga kundërshtarët politikë për të "arritur tek unë", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne kemi besim të madh te djali ynë. Unë nuk jam i shqetësuar për ndonjë akuzë që bëhet kundër tij. Mendoj se është një lloj loje e pistë... për sa kohë që ai është mirë, edhe ne jemi mirë", tha Biden në një program televiziv.
Ekipi i tranzicioni i Biden-it më vonë njoftoi se presidenti i zgjedhur nuk po i referohej hetimit si "lojë e pistë", por u referohej republikanëve që përdorën "marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij për ta ndjekur atë personalisht".
Përfaqësuesi ligjor i shtetit amerikan Delaware ka hetuar rastet e taksave të Hunter Biden-it që nga viti 2018, por ajo publikisht u zbulua javën e kaluar. Zyrtarët pritën zgjedhjet e 3 nëntorit, në mënyrë që rasti të mos ndikojë në zgjedhje.
Gjatë sezonit të fushatës së tij, Biden u akuzua nga presidenti në largim, Donald Trump, për përdorim të gabuar të ndikimit në politikën e jashtme gjatë mandatit të tij si zv/presidentit nën administratën e ish-presidentit Barack Obama.
Në maj të vitit 2014, Hunter Biden u bashkua me Bordin e Drejtorëve të kompanisë Burisma Holdings me bazë në Ukrainë dhe thuhet se ka marrë 50 mijë dollarë në muaj derisa u largua nga posti në prill të vitit 2019.
Demokrati Joe Biden tha se ai është i gatshëm të punojë me republikanët ku ai ose djali i tij përballen me kritikë "nëse kjo gjë i sjell dobi vendit".
Megjithatë, presidenti i zgjedhur kritikoi senatorin republikan Lindsey Graham, i cili bëri thirrje për një këshill të posaçëm për të hetuar djalin e Biden-it.
"Lindsey ka qenë një zhgënjim personal, sepse unë isha një mik i tij personal", tha Biden.