Tuğçenur Akgün
19 janar 2023•Përditësim: 20 janar 2023
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha se SHBA-ja i është mirënjohëse Türkiye-s për rolin që ajo ka luajtur në trajtimin e shumicës së problemeve më urgjente të ditëve të sotme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, Price tha se presidenti amerikan Joe Biden, mbështet shitjen e avionëve F-16 ndaj Türkiye-s dhe modernizimin e atyre aktualë dhe se do të vazhdojnë të punojnë me bashkëbiseduesit e tyre në Kongres lidhur me këtë çështje.
Price tha se si një anëtare e NATO-s, Türkiye ka ofruar kontribute të rëndësishme për Aleancën. "Me Türkiye-n kemi marrëdhënie konstruktive. Ne i jemi mirënjohës Türkiye-s për rolin që ajo ka luajtur në trajtimin e shumicës së problemeve më urgjente të ditëve të sotme, përfshirë edhe sulmet e pamëshirshme të Rusisë kundër Ukrainës", tha ai.
"Nuk do të ishte ekzagjerim të thuhet se Marrëveshja e Korridorit të Drithit nuk do të mund të nënshkruhej pa rolin kontruktiv të Türkiye-s", tha Price duke nënvizuar se i janë mirënjohës Türkiye-s për hapat e ndërmarrë nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe qeveria turke duke përdorur pozicionin e tyre ekskluziv në aspektin e luftës në Ukrainë.
Price theksoi se janë të vetëdijshëm që Türkiye ndodhet përballë kërcënimeve ndaj sigurisë së saj. "Türkiye është përballur me më shumë sulme terroriste në territorin e saj sesa të gjithë aleatët e tjerë të NATO-s", tha ai.
Pasi bëri të ditur se Türkiye është "një aleate konstruktive e NATO-s", Price potencoi rolin e Türkiye-s në luftën kundër terrorizmit, përfshirë edhe luftën kundër DEASH-it.
Ai shtoi se do të vazhdojnë të inkurajojnë që edhe dialogu mes Türkiye-s, Finlandës dhe Suedisë të avancojë në mënyrë konstruktive.
- Tensionet në rritje në Bregun Perëndimor
Pasi bëri të ditur se është shqetësues edhe tensioni në rritje kohët e fundit mes Izraelit dhe Palestinës, Price tha: "Jemi të shqetësuar nga situata në Bregun Perëndimor".
Ai tha se në hapat e SHBA-së për hapjen e ambasadës në Kuds nuk është marrë ende një vendim lidhur me çështjen e vendit dhe se punimet po vazhdojnë.