Islam Doğru
09 Korrik 2023•Përditësim: 10 Korrik 2023
Departamenti i Shtetit të SHBA-së publikoi mesazh me rastin e ditës së 500-të të luftë Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.
Në mesazhin e Departamentit me titull "Shënimi i 500 ditëve të rezistencës në Ukrainë" shprehen lëvdata për vetëmbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë.
"Qeveria ruse është pengesa më e madhe para paqes së drejtë dhe të përhershme në Ukrainë", pretendohet në mesazhin ku theksohet se "SHBA-ja përmes sanksioneve, kontrollit të eksporteve dhe masave të tjera që do të ndikojnë aftësinë e Kremlinit për të luftuar, do të vazhdojë t'i ngarkojë kosto serioze qeverisë ruse dhe të inkurajojë llogaridhënien për shkeljet e ligjit ndërkombëtar".
Po ashtu në mesazh bëhet e ditur se do të vazhdojë procesi i ndihmave në fushën e sigurisë, atë ekonomike dhe fushave të tjera për Ukrainën. "Në këtë mënyrë Ukraina mund të vazhdojë të mbrojë veten e saj dhe mund të jetë në pozicionin më të fuqishëm të mundshëm në tryezën e negociatave kur të vijë koha", thuhet në deklaratë.