Bota

SHBA-ja dhe Koreja e Jugut javën e ardhshme fillojnë stërvitje të madhe ushtarake

Stërvitjet ushtarake mund të shtojnë ndjeshëm tensionet në rajon pasi javën e kaluar Koreja e Veriut kreu disa teste raketore pas stërvitjes së përbashkët vjetore të SHBA-së dhe Koresë së Jugut

Ekip  | 16.08.2022 - Përdıtësım : 17.08.2022
SHBA-ja dhe Koreja e Jugut javën e ardhshme fillojnë stërvitje të madhe ushtarake

Ankara

Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të fillojnë stërvitjet e tyre të mëdha të përbashkëta ushtarake javën e ardhshme mes tensioneve të vazhdueshme në Gadishullin Korean, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Stërvitjet ushtarake mund të shtojnë ndjeshëm tensionet në rajon pasi javën e kaluar Koreja e Veriut kreu disa teste raketore pas stërvitjes së përbashkët vjetore të SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

Stërvitjet do të zgjasin nga 22 gushti deri më 1 shtator, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap, duke cituar deklaratat nga Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut (JCS).

Këto stërvitje të rregullta vjetore kanë natyrë të orientuar drejt mbrojtjes dhe synojnë të forcojnë gatishmërinë e përbashkët luftarake të aleatëve, sipas JCS-së.

Këtë vit, të dy aleatët planifikojnë gjithashtu të kryejnë një sërë trajnimesh në terren, duke përfshirë ushtrime me zjarr të drejtpërdrejtë, thuhet më tej.

Vitin e kaluar, Koreja e Veriut kritikoi ashpër stërvitjet ushtarake dhe nisi disa teste raketore si përgjigje.

Në fillim të kësaj jave, forcat amerikane, koreanojugore dhe japoneze zhvilluan gjithashtu një stërvitje trepalëshe të mbrojtjes raketore në ujërat pranë Havait.

Tensionet në gadishull u rritën në vitin 2020 kur Koreja e Veriut sulmoi dhe hodhi në erë zyrën ndërlidhëse ndërkoreane përgjatë kufirit në Kaesong.

Tensionet u përshkallëzuan vitin e kaluar kur Seuli dhe Pheniani shtuan stërvitjet për të demonstruar forcën e tyre ushtarake.

Në qershor, SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia njoftuan planet për të forcuar lidhjet e sigurisë dhe ranë dakord të kundërshtojnë së bashku kërcënimet nga Koreja e Veriut nëse Pheniani kryen një tjetër test bërthamor.

SHBA-ja dhe Koreja e Jugut i kanë ofruar vazhdimisht dialog Koresë së Veriut për zbutjen e tensioneve aktuale në gadishull, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın