Enes Canlı
01 korrik 2019•Përditësim: 01 korrik 2019
SHBA-të po hetojnë armët me origjinë amerikane të gjeneralit Khalifa Haftar që Qeveria e Pajtimit Kombëtar e njohur ndërkombëtarisht në Libi konfiskoi në qytetin Giryan (Gharyan) pasi mori këtë qytet nën kontroll, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit i cili nuk dëshiron të zbulojë emrin për gazetën Sharq Al-Awsat me qendër në Londër ka thënë se janë duke hetuar çështjen e armëve të prodhimit amerikan të gjetura në Libi.
"Po hetojmë seriozisht çështjen e keqpërdorimit të pjesëve të mbrojtjes me origjinë të SHBA-ve. Ne jemi të vetëdijshëm për lajmet në këtë drejtim dhe po përpiqemi të mbledhim informacione shtesë", ka thënë zëdhënësi amerikan duke shtuar se "Ne presim që të gjithë furnizuesit e armëve të prodhimit amerikan të jenë në përputhje me kushtet përfundimtare të përdorimit të tyre".
- Raketat "Javelin" në qytetin Giryan nga u tërhoqën forcat e Haftarit
Njësitë e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar në Libi javën e kaluar morën nën kontroll qytetin Giryan nga forcat e Haftarit të cilët kanë nisur një ofensivë për të marrë nën kontroll kryeqytetin dhe të cilin këtë qytet e përdornin si pikë furnizmi dhe për operacionin.
Qeveria e Pajtimit Kombëtar pas marrjes nën kontroll të këtij rajoni bëri postime në lidhje me armët dhe armatimet që forcat e Haftarit kishin lënë në këtë zonë.
Në mesin e këtyre më së shumti tërhoqën vëmendjen raketat e teknologjisë së përparuar "Javelin" të cilat ndodheshin në arkat që i përkisnin prodhuesit amerikan të armëve Raytheon dhe Lockheed Martin. Edhe në disa fotografi të armatimeve të postuara në rrjetet sociale është vërejtur si palë blerëse emri i ushtrisë së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), që janë mbështetës të forcave të Haftarit.
Ndërkohë në anën tjetër në mesin e armëve dhe armatimeve të konfiskuara në qytetin Giryan kanë tërhequr vëmendjen edhe predhat e topave të prodhimit kinez të cilat përdoreshin nga forcat e Haftarit.
Më 4 prill gjenerali Khalifa Haftar, lideri i forcave ushtarake të pozicionuara në lindje të Libisë dha urdhër për nisjen e një ofensive ushtarake me qëllim pushtimin e Tripolit. Ndërsa përballë kësaj edhe njësitë e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar që kanë legjitimitetin ndërkombëtar në mbrojtje të Tripolit filluan operacionin ‘Burkan el-Gadab‘.