Politikë, Bota

SHBA anulon vizitën e të dërguarit në Tajvan

Në një deklaratë ku përmendi përpjekjet e tranzicionit përpara inaugurimit presidencial të javës së ardhshme, Departamenti amerikan i Shtetit tha se do të anulojë të gjitha udhëtimet e nivelit të lartë jashtë shtetit

Islam Uddin   | 13.01.2021
SHBA anulon vizitën e të dërguarit në Tajvan

Ankara

SHBA ka anuluar një vizitë në Tajvan nga i dërguari i saj i lartë në Kombet e Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë ku përmendi përpjekjet e tranzicionit përpara inaugurimit presidencial të javës së ardhshme, Departamenti amerikan i Shtetit tha se do të anulojë të gjitha udhëtimet e nivelit të lartë jashtë shtetit, përfshirë udhëtimin e planifikuar në Evropë të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

"Departamenti i Shtetit po ecë mirë në përpjekjet e tij për tranzicionin me ekipin e presidentit të zgjedhur (Joe) Biden. Ne jemi plotësisht të përkushtuar në përfundimin e një procesi tranzicioni të qetë dhe të rregullt që do të finalizohet gjatë 8 ditëve të ardhshme", thuhet në deklaratë.

Biden do të betohet si presidenti i ardhshëm i SHBA-ve më 20 janar. Ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Kelly Craft, pritej të mbërrinte në një vizitë treditore sot në Tajvan, plan ky që shkaktoi kritika dhe paralajmërim nga Kina.

Të hënën, Pekini kritikoi ashpër vendimin e SHBA-ve për heqjen e kufizimeve për kontakt midis zyrtarëve amerikanë dhe atyre të Tajvanit, pasi Pompeo më 9 janar deklaroi "të pavlefshëm" kufizimet e vetë-vendosura mbi diplomatët amerikanë, anëtarët e shërbimit dhe ndërveprimet e zyrtarëve të tjerë me "homologët" e tyre tajvanezë.

Pekini e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur, por Taipei ka këmbëngulur në pavarësinë e saj që nga viti 1949 dhe ka marrëdhënie diplomatike me 16 vende dhe rajone. SHBA njohu zyrtarisht Kinën në vitin 1979 dhe zhvendosi marrëdhëniet diplomatike nga Taipei në Pekin, duke pranuar politikën "Një-Kinë" dhe duke përfshirë Tajvanin si pjesë të Kinës kontinentale.

Megjithatë, ajo kohët e fundit rriti angazhimin e saj me Tajvanin. Gushtin e kaluar, Sekretari Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, Alex Azar, u bë politikani i rangut më të lartë amerikan që mbajti takime në ishull në dekada.

Vitin e kaluar SHBA gjithashtu miratoi shitjet e armëve në Tajvan me vlerë miliarda dollarë.

Pekini ka kërkuar në vazhdimësi që Washington të respektojë politikën "Një-Kinë" dhe si përgjigje ka rritur praninë e tij ushtarake në rajon.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın