Bota

Senati amerikan miraton pakon e ndihmës prej 2 trilionë dollarëve

Projektligji që parasheh ndihma për përballimin e pasojave nga Covid-19 miratohet me votë unanime 96-0

Servet Günerigök   | 26.03.2020
Senati amerikan miraton pakon e ndihmës prej 2 trilionë dollarëve

Washington

Senati amerikan mbrëmë miratoi unanimisht një pako masive stimuluese prej 2 trilionë dollarësh për të lehtësuar ndikimin ekonomik të pandemisë së koronavirusit, raporton Anadolu Agency (AA).

Legjislacioni më i madh i stimulit në historinë e vendit u miratua në Senat me një votim 96-0, pasi disa ligjvënës mungonin shkaku se ishin në vetizolim ose ishin të sëmurë.

Projekt-ligji ka për qëllim të ndihmojë financiarisht qytetarët amerikanë dhe bizneset gjatë pandemisë, ndërsa ndalesa tjetër e tij është Dhoma e Përfaqësuesve, e cila është planifikuar të votojë të premten.

Projekt-ligji përfshin 500 miliardë dollarë për korporatat e mëdha pasi SHBA përballet me një rënie të madhe ekonomike duke e vendosur atë në prag të një recesioni të plotë, si dhe një program kredie prej 367 miliardë dollarë për bizneset e vogla dhe 150 miliardë dollarë ndihma për qeveritë shtetërore dhe lokale.

Amerikanët individualë do të kenë të drejtë për pagesa direkte prej 1.200 dollarë dhe pagesa shtesë prej 500 dollarë për fëmijë, për sa kohë që të ardhurat e tyre vjetore nuk kalojnë 75.000 dollarë. Do të rritet edhe sigurimi i papunësisë, ndërsa pagesa për kreditë studentore të mbajtura nga federata do të pezullohen përkohësisht.

Projekt-ligji përfshin një paketë shtesë prej 340 miliardë dollarë për të luftuar përhapjen e koronavirusit, përfshirë 117 miliardë dollarë për spitalet, 45 miliardë dollarë për fondin e FEMA-s për përballim me katastrofat dhe 11 miliardë dollarë për vaksina, terapi dhe nevoja të tjera mjekësore.

Projekt-ligji është përpjekja e tretë e Kongresit për të ndihmuar SHBA-në në kontrollin e përhapjes së sëmundjes dhe është përpjekja më e madhe e ndërmarrë deri më tani.

Virusi, i cili për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan në Kinë, deri më tani është përhapur në 200 vende dhe rajone në mbarë botën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın