Riyaz Khaliq
14 shtator 2020•Përditësim: 15 shtator 2020
Në një samit madhor virtual me udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE), presidenti kinez, Xi Jinping, ka ofruar një axhendë me katër pika për zhvilim të marrëdhënieve me 27 vendet anëtare të bllokut evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, në takimin virtual Kinë-Gjermani-BE presidenti Jiping nga kryeqyteti Pekin tha se "Kina dhe BE-ja duhet të aderojnë ko-ekzistencën paqësore, hapjen dhe bashkëpunimin, multilateralizmin".
Xi theksoi dialogun dhe konsultimin për "zhvillim të shëndoshë dhe të qëndrueshëm" të marrëdhënieve midis Kinës dhe BE-së.
Në takim po ashtu morën pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, vendi i së cilës aktualisht mban presidencën e BE-së, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Takimi i nivelit të lartë vjen në mes të armiqësive në rritje midis Pekinit dhe Washingtonit, duke përfshirë një luftë të gjerë tregtare dhe akuza mbi origjinën e koronavirusit të ri (COVID-19), i cili për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës.
Edhe vendet evropiane kanë censuruar Pekinin mbi një ligj të ri të sigurisë në Hong Kong, që pretendohet se kufizon të drejtat themelore. BE po ashtu dëshiron angazhime më të fuqishme mbi ndryshimet klimatike nga Kina, ndotësi kryesor i botës.
Gazeta "Global Times" raportoi se samiti theksoi nevojën për të "përshpejtuar" negociatat për një traktak investimesh dhe "të përfundojë" bisedimet deri në fund të vitit 2020". Po ashtu u dakordua që të dy palët do të vendosin një dialog të nivelit të lartë në fushën e mjedisit dhe klimës.
BE dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen e ushqimit
Ndërkohë, para diskutimeve sfiduese, të dy palët nënshkruan një marrëveshje për të mbrojtur eksportet e njëri-tjetrit të ushqimit dhe pijeve nga "uzurpimi dhe imitimi".
Ata do të respektojnë emrat ose treguesit gjeografikë (GI), një etiketë e përdorur në një produkt për të specifikuar origjinën e tij, të 100 emërtimeve rajonale evropiane të ushqimit dhe 100 ekuivalentëve kinezë.