Bota

Salvini: Mund ta konfiskojmë anijen e "Open Arms"

Ministri i Brendshëm italian, ka dhënë një paralajmërim të ashpër ndaj anijes së OJQ-së spanjolle e cila ka shpëtuar 121 emigrantë në Mesdhe dhe e cila vazhdon pritjen e saj 24 milje larg ishullit Lampedusa të Italisë

Barış Seçkin, Şenhan Bolelli  | 07.08.2019 - Përdıtësım : 08.08.2019
Salvini: Mund ta konfiskojmë anijen e "Open Arms"

Romë/Madrid

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, tha se për anijen e shpëtimit të organizatës joqeveritare spanjolle (OJQ) Proactiva Arms Open ujërat territoriale italiane janë të mbyllura dhe se ata mund ta konfiskojnë anijen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Brendshëm italian, Salvini, ka dhënë një paralajmërim të ashpër ndaj anijes së OJQ-së spanjolle e cila ka shpëtuar 121 emigrantë në Mesdhe dhe e cila vazhdon pritjen e saj 24 milje larg ishullit Lampedusa të Italisë, pasi nuk ka marrë përgjigje pozitive për kërkesën që ka bërë për të transportuar emigrantët në Itali dhe Maltë pasi që janë portet e sigurta më të afërta në rajon përveç Libisë.

"Open Arms, ndodhet në Mesdhe që prej 6 ditësh dhe tani kërcënojnë të hyjnë në Itali. Gjatë kësaj kohe, ajo mund të arrinte në Spanjë, në vendin flamurin e të cilit ajo mban. Në këtë vend, disa kryetarë bashkish janë shprehur se janë të gatshëm që t'i mirëpresin", tha Salvini në llogarinë e tij në Twitter.

Pasi ka vënë në dukje se Open Arms ka për qëllim të bëjë një provokim politik, Salvini u shpreh se "Është e qartë që jeta e njerëzve në bord nuk është përparësia e tyre. Ata duan të transportojnë emigrantë të paligjshëm në vendin tonë me çdo kusht".

"Do të doja t‘i kujtoja Open Arms se ujërat territoriale italiane janë mbyllura për të dhe ne jemi të gatshëm ta konfiskojmë anijen", ka theksuar ndër të tjera Salvini duke paralajmëruar OJQ-në spanjolle.

Matteo Salvini, edhe javën e kaluar nuk lejoi afrimin në ishullin Lampedusa gjithashtu edhe për anijen "Alan Kurdi" të OJQ-së gjermane Sea Eye.

OJQ-ja spanjolle Open Arms thirrje BE-së

Anija e Open Arms e cila vazhdon pritjen në ujërat ndërkombëtare, pavarësisht se qeveritë autonome të Katalonjës dhe Valencias në Spanjën lindore kanë njoftuar se do t‘i pranojnë këta migrantë të parregullt, ajo nuk ka ndryshuar vendin e saj për shkak se qeveria spanjolle nuk ka bërë ndonjë hap për këtë çështje.

Zëdhënësja e qeverisë spanjolle, Isabel Celaa, është shprehur se për emigrantët e parregullt në anijen e OJQ-së nuk është përgjegjëse vetëm Spanja, por në të njëjtën kohë edhe Bashkimi Evropian (BE).

Zyrtarët e OJQ-së spanjolle Proactiva Open Arms në një deklaratë për shtyp i kanë bërë thirrje BE-së për nxjerrjen e 121 emigrantëve në anije në një port të sigurtë duke u shprehur se "preferojnë të qëndrojnë në vendin ku ndodhen se sa të kthehen në Libi".

Oscar Camps, kreu i Proactiva Open Arms është shprehur se "Shëndetit të migrantëve të shpëtuar ne i kushtojmë rëndësi para çdo kriteri tjetër të pakuptimtë. Stresi që ata kanë përjetuar është i madh, ka nga ata që kanë kaluar krizë nervore dhe mund të ndodhë çdo gjë në çdo moment. Ne do të vazhdojmë të presim deri në kohën kur 28 vende të BE-së që nuk kanë aftësi të prodhojnë zgjidhje do të gjejnë zgjidhje për situatën emergjente humanitare".

Anija e Proactiva Open Arms e cila është hapur në Mesdhe pavarësisht ndalesës së qeverisë spanjolle dhe paralajmërimeve të ashpra të Italisë për OJQ-të që shpëtojnë emigrantë, ka shpëtuar dy grupe emigrantësh të parregullt, me 55 dhe me 68 persona. Dy gra shtatzëna u dërguan në spital pasi u morën nga anija me 3 gusht nga ekipet e rojës bregdetare italiane.

Rajoni i Mesdheut midis Italisë, Maltës dhe Libisë vitet e fundit ndodhet në pozicionin e një prej rrugëve më të përdorura të migracionit të parregullt për kalimin nga Afrika në Evropë.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.