Bota

Italia: Evropa duhet të ketë rol për paqen në Ukrainë

Zv/kryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm italian, Tajani tha se Evropa duhet të ketë rol në përpjekjet për paqe në Ukrainë dhe se në të njëjtën Ukraina është barrierë sigurie për Evropën

Barış Seçkin  | 20.11.2025 - Përdıtësım : 20.11.2025
Italia: Evropa duhet të ketë rol për paqen në Ukrainë

Romë

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se Evropa duhet të ketë rol në përpjekjet për paqe në Ukrainë dhe se në të njëjtën Ukraina është barrierë sigurie për Evropën, transmeton Anadolu.

Duke marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) që mbahet në Bruksel, kryeqytetin e Belgjikës, Tajani para takimit bëri një vlerësim lidhur me çështjet në rendin e ditës.

Ai theksoi se gjetja e një zgjidhjeje në lidhje me asetet ruse të ngrira për shkak të luftës Rusi-Ukrainë është e rëndësishme. "Ne e shohim si pozitive përdorimin e këtyre aseteve për të mbështetur Ukrainën, por duhet të përcaktohet baza ligjore që do të lejojë që të bëhet kjo zgjedhje. Pra, kjo është çështje ligjore, jo politike. Ne duhet të shohim se si mund të arrihet kjo dhe si do të garantohet stabiliteti i Eurozonës", deklaroi Tajani.

Tajani nënvizoi se kjo kërkon bashkëpunim të thellë midis ekspertëve ligjorë dhe ekspertëve të Bankës Qendrore Evropiane.

Pasi rikujtoi se në SHBA janë diskutuar disa plane të mundshme për paqen në Ukrainë, Tajani tha: "Këto janë vetëm thashetheme gazetareske, është e vështirë t'i interpretosh ato. Ne do të kryejmë një vlerësim gjithëpërfshirës kur të paraqitet plani. Edhe Evropa duhet të marrë përsipër rolin e saj. Ukraina në të njëjtën kohë është barrierë sigurie për Evropën. Nëse Ukraina bie, rreziqet për Evropën do të rriten dhe ne absolutisht nuk mund ta pranojmë ose lejojmë këtë".

Kur u pyet për anijet e referuara si flota hije e Rusisë, Tajani tha se tensionet duhen ulur. "Unë jam pro-evropian dhe ashtu siç u vendosën sanksionet së bashku, të gjitha ndërhyrjet e tjera kundër flotës hije duhet të kryhen së bashku dhe në mënyrë të koordinuar", tha ai.


- Italia dëshiron të marrë pjesë në rindërtimin e Gazës dhe trajnimin e policisë palestineze

Lidhur me situatën në Rripin e Gazës, Tajani tha: "Si Itali ne kemi dëshirë të marrim pjesë në rindërtimin e Gazës dhe trajnimin e policisë palestineze".

Ai njoftoi se aktivitetet e trajnimit që kryhen aktualisht nga xhandarmëria italiane (karabinierët) në Bregun Perëndimor mund të zgjerohen për oficerët e ardhshëm të policisë që do të vendosen në Gaza dhe se kjo mund të bëhet në vende të tjera të huaja si Jordania dhe Egjipti.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.