Bota

Rusia vendos sistem raketor pranë ishujve të diskutueshëm

Mediat japoneze thonë se raketat e reja janë vendosur pranë ishujve të pretenduara nga Tokio në Oqeanin Paqësor

Riyaz ul Khaliq, Elena Teslova  | 04.09.2019 - Përdıtësım : 04.09.2019
Rusia vendos sistem raketor pranë ishujve të diskutueshëm

Ankara

Në prag të takimit dypalësh midis presidentit rus dhe kryeministrit japonez të enjten në Vladivostok, raportohet se Moska ka vendosur sisteme të reja raketore afër ishujve të cilat pretendohen nga Japonia në Oqeanin Paqësor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rusia ka lëvizur sistemet e mbrojtjes raketore nga Gadishulli Kamchatka në pjesën veriore të zinxhirit të Ishujve Kuril pranë provincës Hokkaido të Japonisë, raportoi e përditshmja "Japan Times".

Duke cituar një dokument të mbrojtjes të vitit 2018, ku thuhet se Rusia ka vendosur sistemet raketore tokë-anije të quajtura "Bastion" në ishujt Paramushir dhe Matua në zinxhirin e Ishujve Kuril i cili përfshin katër ishuj të pretenduar nga Japonia.

"Japan Times", duke cituar një zyrtar të qeverisë ruse, raporton se sistemet e raketave janë vendosur në të dy ishujt: "Ata tashmë janë zhvendosur dhe tani janë duke u përgatitur për operim".

I pyetur në lidhje me raportet në lidhje me vendosjen e mundshme të sistemeve "Bastion" në Ishujt Kuril, zëvendës ministri i Jashtëm rus, Igor Morgulov të martën në Moskë tha se kjo "pyetje nuk është në axhendën" e bisedimeve ruso-japoneze në lidhje me traktatin e paqes.

"Unë nuk i di planet për zhvillimin tonë ushtarak, por nuk ka asnjë lidhje me bisedimet që janë duke u zhvilluar në temën e traktatit të paqes. Ne nuk diskutojmë çështjet e zhvillimit ushtarak rus në këto bisedime", tha ai.

Sistemi i raketave shtrihet në një varg mbi 300 kilometra.

Ishujt Kuril e ndajnë Detin Okhotsk nga Oqeani Paqësor.

"Kjo (vendosja e raketave) gjithashtu nënkupton një vijë mbrojtëse që shtrihet nga Gadishulli Kamchatka deri në Hokkaido, i cili bie brenda gamës së sistemeve të mbrojtjes raketore", thuhet në raport.

Kryeministri japonez Shinzo Abe pritet të takohet me presidentin rus Vladimir Putin të enjten në Vladivostok në Lindjen e Largët të Rusisë, në kuadër të një forumi ekonomik për bisedime mbi traktatin e paqes pas luftës.

Një bazë radio-zbuluese e anijeve dhe një flotë ajrore gjithashtu do të instalohen në ishujt Matua, shton raporti.

Ky veprim vjen midis planeve të SHBA-së e cila gjithashtu kërkon të vendosë raketa me rreze të mesme në rajonin e Azisë-Paqësorit. Vendimi u mor pasi Washingtoni u tërhoq nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) me Rusinë muajin e kaluar.

Rusia i quan ishujt si Kurili Jugor ndërsa Japonia pretendon pronësinë e tyre dhe i quan Territoret Veriore.

Në nëntorin e kaluar, Abe dhe Putin kishin rënë dakord të intensifikonin bisedimet bazuar në marrëveshjen e vitit 1956 që theksonte dorëzimin nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm të Shikotan dhe Habomai - Japonisë pas nënshkrimit të një traktati paqeje.

Por, Rusia ka thënë se mundësia e zgjerimit ushtarak amerikan dhe plani i Tokios për të vendosur sistemet e mbrojtjes raketore të zhvilluar nga SHBA do ta sillte në vështirësi Rusinë për të përmbyllur një traktat të tillë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.