Ali Cura
15 qershor 2023•Përditësim: 15 qershor 2023
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar se negociatat që zhvillohen për normalizimin e marrëdhënieve Türkiye-Siri i shikojnë si një element i rëndësishëm i stabilitetit në rajon, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Ria, Zakharova foli lidhur me një takim të mundshëm të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan.
"Jemi të gatshëm dhe të hapur për komunikim me partnerët turq, jemi të gatshëm të vazhdojmë kontaktet tona në çështje të ndryshme", u shpreh Zakharova, duke theksuar se do të njoftojnë kur të përcaktohet data e takimit.
Ajo ka theksuar se mes dy ministrave është zhvilluar biseda e parë telefonike dhe se janë përcaktuar disa fusha të caktuara të rendit të ditës. Ajo tha se këto janë çështjet si zgjidhja e problemeve lidhur me Iniciativën e Drithit në Detin e Zi, normalizimi i Türkiyes me fqinjët e afërt Sirinë dhe Armeninë, si dhe çështja e luftës me terrorizmin në rajon.
Ndër të tjera, Zakharova u shpreh se gjithashtu shumë çështje të ndryshme që përfshihen në fushat me interes reciprok, si në formatin bilateral ashtu edhe në platformat ndërkombëtare, përcaktojnë nivelin e interesit dhe dinamikën energjetike të dialogut.
Pasi rikujtoi takimet për avancimin e marrëdhënieve Türkiye-Siri të mbajtura në formatin katërpalësh mes Türkiyes, Sirisë, Iranit dhe Rusisë, Zakharova tha se, "Janë arritur rezultate të mira në aspektin e normalizimit të marrëdhënieve Türkiye-Siri që është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Negociatat Türkiye-Siri i shikojmë si një element i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe si një faktor i rëndësishëm në zgjidhjen e situatës në Siri".