Atila Altuntaş
17 Mars 2016•Përditësim: 17 Mars 2016
STOKHOLM (AA) - Shefi i Agjencisë së inteligjencës në Suedi (SAPO), Anders Thornberg paralajmëroi se Rusia ka rritur aktivitetet e spiunazhit brenda Suedisë. Ai thotë se të paktën 10 diplomatë rusë kanë kryer aktivitete spiunazhi në Suedi, raporton Anadolu Agency (AA).
Agjencia suedeze e inteligjencës (SAPO) në konferencën për mediat prezantoi raportin vjetor të aktiviteteve për vitin 2015. Shefi i SAPO-s, Thornberg potencoi se Rusia po kryen një luftë psikologjike në Suedi.
Sipas tij, në Suedi të paktën 10 diplomatë rusë kryejnë spiunazh në emër të Rusisë dhe gjithashtu bëjnë spekulime të shumta në lidhje me politikën e vendit, ekonominë, teknologjinë dhe sekretet ushtarake.
- 300 suedezë luftojnë në emër të DAESH-it -
Thornberg mes tjerash theksoi se nga Suedia në territorin e Sirisë dhe të Irakut ndodhen 300 shtetas suedezë të cilët luftojnë në radhët e organizatës terroriste DAESH. Ai tha se 44 prej tyre janë vrarë në luftë dhe se 135 të tjerë janë kthyer në Suedi. Thornberg precizoi më tej se 135 personat e kthyer në Suedi janë nën mbikëqyrje dhe po ndiqen nga afër.
- Është ulur niveli i kërcënimit të terrorizmit -
Numri një i inteligjencës suedeze tha se niveli i kërcënimit të terrorizmit në Suedi është ulur në nivelin e tretë. "Nivelin e kërcënimit të terrorizmit i cili u ngrit në nivelin 4 pas sulmeve terroriste në Paris e kemi reduktuar në nivelin 3", tha Thornberg.
Ai në vijim theksoi se kërcënimi i terrorizmit nuk ka kaluar plotësisht, mirëpo në krahasim me tre muaj më parë kërcënimi ka shënuar ulje.