Rusia intercepton 111 dronë ukrainas gjatë natës
Një sulm në rajonin e Moskës ka plagosur pesë persona ndërsa Rusia raportoi dëme në infrastrukturë
Moskë
Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe shkatërruar 111 dronë ukrainas mbi disa rajone dhe mbi Detin Azov gjatë natës, tha Ministria ruse e Mbrojtjes, transmeton Anadolu.
"Një dron goditi një ndërtesë banimi në Krasnogorsk, qendra administrative e rajonit të Moskës, duke plagosur pesë persona, përfshirë një fëmijë", tha guvernatori i rajonit, Andrey Vorobyov. Ai shtoi se fëmija pësoi lëndime në këmbë dhe dislokim gjuri.
Katër viktima të tjera u shtruan në spital me dëmtime në kokë, fraktura dhe plagë nga copëzat e shpërthimit, tha ai. Sipas Vorobyovit, droni hyri dhe shpërtheu në një apartament në katin e 14-të të ndërtesës.
Ekipet e emergjencës dhe forcat e rendit ndodhen në vendngjarje, ndërtesa është rrethuar dhe trafiku është bllokuar përgjatë autostradës Volokolamskoye, shtoi guvernatori.
Në rajonin Rostov, një zjarr i shkaktuar nga mbeturinat e dronëve solli ndërprerje të energjisë elektrike për rreth 1.500 banorë në qytetin Novoshakhtinsk, tha guvernatori rajonal Yury Slyusar.
Mbeturina të tjera nga dronët ranë në një zonë banimi në rrethin Abinsky të Krasnodarit, duke dëmtuar tetë ndërtesa, sipas shtabit operacional rajonal.
Ekspertët janë duke punuar në terren dhe nuk raportohet për viktima civile. Rusia ka raportuar rritje të sulmeve me dronë brenda territorit të saj që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
