Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë nga 185 të burgosur lufte
"Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sot nga 185 ushtarakë secila si pjesë e marrëveshjeve të arritura në Stamboll në fillim të këtij viti", konfirmoi Ministria ruse e Mbrojtjes

Stamboll
Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sot nga 185 ushtarakë secila si pjesë e marrëveshjeve të arritura në Stamboll në fillim të këtij viti, konfirmoi Ministria ruse e Mbrojtjes, transmeton Anadolu.
Ministria ruse njoftoi shkëmbimin, duke shtuar se ajo mori 20 civilë. "Ushtarët dhe civilët rusë janë në Bjellorusinë fqinje, ku po marrin ndihmën e nevojshme psikologjike dhe mjekësore. Të gjithë ushtarakët dhe civilët rusë të kthyer do të transportohen në Federatën Ruse për trajtim dhe rehabilitim në mjediset mjekësore", thuhet në deklaratë.
Megjithatë, Ukraina ende nuk e ka konfirmuar shkëmbimin.
Rusia dhe Ukraina zhvilluan tre raunde bisedimesh për paqe në metropolin turk të Stambollit, më 16 maj, 2 qershor dhe 23 korrik duke rezultuar në shkëmbime të mëdha të të burgosurve dhe hartimin e memorandumeve që përshkruanin qëndrimet përkatëse për një marrëveshje të ardhshme paqeje për konfliktin që vazhdon që nga shkurti i vitit 2022.
Procesi i paqes, i cili fitoi vrull pas një samiti midis presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin në Alaskë më 15 gusht, duket se ka ngecur.
Duke cituar zyrtarë amerikanë, gazeta "Wall Street Journal" raportoi sot se SHBA-ja do t'i japë Ukrainës informacione për sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë ndërsa administrata e Trumpit shqyrton mundësinë e dërgimit të armëve të fuqishme për Kievin që mund të vendosin në rreze më të gjerë objektiva brenda Rusisë.