Michael Sercan Daventry
08 Korrik 2016•Përditësim: 09 Korrik 2016
LONDËR (AA) - Krimet që për bazë kanë urrejtjen shënojnë rritje të konsiderueshme në Mbretërinë e Bashkuar pas referendumit për statusin e ardhshëm të vendit në Bashkimin Evropian që u mbajt muajin e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat e publikuara të premten nga Këshilli i Shefave të Policisë Kombëtare tregojnë se 3.076 krimet që për bazë kanë urrejtjen janë denoncuar në polici mes datave 16 dhe 30 qershor, që është një rritje prej 42 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Incidentet e raportuara përfshijnë raste të dhunës kundër individëve si dhe ngacmim dhe abuzim verbal.
Shifrat duket të kenë konfirmuar shqetësimet se pakicat etnike dhe fetare gjithnjë e më shumë po vihen në shënjestër të sulmeve në Britani pas referendumit të 23 qershorit në të cilin u votua për dalje nga BE-ja.
Kulmi i incidenteve ka ndodhur më 25 qershor një ditë pas referendumit, ku anembanë vendit u regjistruan 289 shkelje të ligjit.