Dildar Baykan Atalay
13 Gusht 2023•Përditësim: 14 Gusht 2023
Është rritur në 93 numri i personave që kanë humbur jetën në zjarret pyjore që vazhdojnë në Hawaii të SHBA-së, fatkeqësi e cila është regjistruar si zjarret pyjore ku janë shënuar më shumë viktima në 100 vitet e fundit në vend, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të CNN, në një deklaratë nga administrata rajonale në Maui, ndahet informacioni se është rritur në 93 numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të zjarreve. Zyrtarët në rajon mbajtën konferencë për media lidhur me situatën e fundit në zjarret pyjore që vazhdojnë në Ishullin e Madh (Big Island) dhe ishullin Maui.
Guvernatori i Hawaii-t, Josh Green tha se "Tani të gjithë kanë kureshtje se çfarë ka ndodhur sot në terren. Ka pasur më shumë vdekje". Ai theksoi se presin që numri i viktimave të rritet edhe më tej. "Kjo është fatkeqësia më e madhe që ka përjetuar Hawaii. Janë shkatërruar rreth 2.200 struktura dhe shuma e dëmeve ka arritur në 6 miliardë dollarë", shtoi Green.
Shefi i policisë në Maui, John Pelletier tha se janë identifikuar vetëm 2 nga personat që kanë humbur jetën.
Lori Moore-Merrell nga shërbimi zjarrfikës tha se humbja e jetëve në Hawaii ka kaluar zjarret në vitin 2018 në Kaliforni ku humbën jetën 85 persona. "Zjarret në Hawaii janë zjarret pyjore ku është përjetuar numri më i madh i vdekjeve në 100 vitet e fundit në SHBA", tha ajo.
- Nuk kanë funksionuar alarmet për zjarr
Gjatë zjarreve nuk kanë funksionuar asnjë prej 80 sirenave për paralajmërim të katastrofave në ishullin Maui.
Zëdhënësi i Agjencisë për Administrimin e Situatës Emergjente në Hawaii, Adam Weintraub tha se asnjë nga sirenat nuk ka qenë aktive. Duke mos dhënë informacion se përse nuk kanë funksionuar sirenat që i bëjnë thirrje popullatës për evakuim në situata urgjente, Weintraub shpjegoi se do të zhvillojnë hetime me zyrtarët rajonalë lidhur me çështjen.
Ai shtoi se gjatë zjarreve janë dërguar mesazhe paralajmërimi në celularë dhe se përmes radiove dhe televizioneve janë bërë paralajmërime. Weintraub thekson se popullata nuk ka mundur të marrë këto paralajmërime për shkak se në zonë nuk ka patur energji elektrike.