Muhammet Kurşun
03 Korrik 2019•Përditësim: 04 Korrik 2019
Presidenti iranian Hassan Rouhani sot paralajmëroi se autoritetet iraniane nga java e ardhshme do të fillojnë një proces më intensiv të pasurimit të uraniumit, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas përfundimit të seancës së kabinetit, Rouhani në Teheran deklaroi se të dielën skadon afati dymujor për heqjen e sanksioneve të cilën Irani ua dha nënshkruesve të marrëveshjes ndërkombëtare të programit bërthamor nga viti 2015.
"Pas 7 korrikut, uraniumi i pasur nuk do të jetë në nivelin 3.67 për qind, por do ta rrisim atë. Do të lëmë anash angazhimin e marrë për këtë çështje dhe do të pasurojmë uraniumin sipas dëshirës sonë. Do të prodhojmë uranium në sasitë që duam dhe për të cilën kemi nevojë. Nëse doni, ja pra, ankohuni dhe shfaqni pakënaqësi", tha Rouhani.
Duke theksuar se Irani ka tejkaluar tashmë nivelin e dakorduar të 300 kilogram uranium të pasuruar, Rouhani tha se Irani do të kthehet në respektimin e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore kur këtë ta bëjë edhe pala tjetër.
"Çdo gjë që bëjmë mund të rikthehet në të vjetrën për një orë. Pse keni frikë? Merrni vendim nëse marrëveshja është e mirë apo e keqe", tha Rouhani, duke shtuar me shitjen e shpejtë Rusisë, Irani mund gjejë zgjidhje për tepricën e uraniumit dhe ujërave të rëndë.
Rouhani paralajmëroi se autoritetet iraniane gjithashtu do të rifillojnë punën e reaktorit Arak nëse vendet perëndimore nuk i përmbushin zotimet dhe premtimet e tyre.
"Këshilla ime ndaj SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian është që t'i kthehen logjikës së shëndoshë, tryezës së negociatave, ligjeve dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Le të zbatojmë të gjithë marrëveshjen bërthamore. Irani do t'i përmbahet marrëveshjes për sa kohë që edhe pala tjetër i përmbahet", tha Rouhani.
Ai kritikoi vendet evropiane për mospërmbushjen e premtimeve rreth aktivizimit të Instrumentit për Përkrahjen e Tregtisë (INSTEX). Instrumenti u paralajmërua si një mekanizëm i ri që synonte vazhdimin e bashkëpunimit tregtar me Iranin dhe anashkalimin e sanksioneve të SHBA-ve kundër Iranit.
Të gjitha anëtarëve të BE-së do t'u hapet porta e INSTEX-it ndërsa organet menaxhuese do të emërohen nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, të cilat së bashku me Rusinë, Kinën dhe SHBA-të janë nënshkruese të marrëveshjes ndërkombëtare me Iranin.
Dje, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se Irani po luan me zjarr duke tejkaluar sasinë e lejuar të uraniumit të pasuruar, ndërkaq Rouhani tha sot se SHBA-të shkaktuan krizën pasi u tërhoqën nga marrëveshja dhe vendosën sanksione të reja ndaj Iranit.
"Këte zjarr ju e shkaktuat dhe ju duhet ta fikni", deklaroi Rouhani.