Aness Suheil Barghoti
03 Tetor 2019•Përditësim: 03 Tetor 2019
Seanca mbi hetimet ndaj kryeministrit izraelit lidhur me pretendimet për korrupsion vazhduan në Ministrinë e Drejtësisë në Kuds në ditën e dytë, raporton Anadolu Agency (AA).
Seanca dëgjimore që përfshin Benjamin Netanyahun filloi të mërkurën dhe do të vazhdojë të dielën dhe të hënën.
Yossi Ashkenazi, anëtar i ekipit mbrojtës të Netanyahut, tha se ata kanë dorëzuar dokumente të reja lidhur me hetimet.
Ai vlerësoi interesin rreth çështjes nga zyra e prokurorit të përgjithshëm, duke theksuar: "Jemi të gëzuar për këtë".
Avokatët mbrojtës të Netanyahut të mërkurën harxhuan më shumë se 11 orë duke u përpjekur të bindin prokurorin e përgjithshëm të mos ngre aktakuzë ndaj kryeministrit izraelit për raste të shumta korrupsioni.
Netanyahu nuk u paraqit në seancën dëgjimore të mërkurën duke dërguar një ekip prej 10 avokatësh, të cilët u ballafaquan me ekipin e prokurorit të përgjithshëm të përbërë nga 20 prokurorë publik, të kryesuar nga Avichai Mandelblit dhe Avokati i Shtetit, Shai Nitzan.
Në shkurt, kryeprokurori izraelit, Avichai Mandelblit, tha se ishte duke shqyrtuar ngritjen e akuzës ndaj Netanyahut për korrupsion dhe ryshfet në tre raste të ndryshme.
Aktualisht ai është nën hetime lidhur me tre rastet, për të cilat në mënyrë të përsëritur ka mohuar të ketë bërë diçka të gabuar.
Rasti i parë ndërlidhet me producentin izraelit të Hollywood-it, Arnon Milchan, i cili dyshohet se i është kërkuar të blejë gjëra luksoze për Netanyahun dhe gruan e tij.
Rasti i dytë ka të bëjë me pretendimet për mbulim të favorshëm në media me Arnon Mozes, botuesin e të përditshmes së njohur në gjuhën hebraike Yedioth Ahronoth.
Kurse në rastin e tretë, Netanyahu akuzohet se i ka dhënë favore Kompanisë izraelite të Telekomit Bezeq, në këmbim të mbulimit të favorshëm në faqen e internetit të kompanisë.