Beyza Binnur Dönmez
16 Dhjetor 2019•Përditësim: 18 Dhjetor 2019
Republika Dominikane ka filluar të kërkojë viza për venezuelianët, transmeton Anadolu Agency (AA).
Me këtë veprim, ky vend i Karaibeve ndoqi hapat e Ekuadorit, Kilit dhe Perut, të cilat në vitin 2019 vendosën kufizime të udhëtimit për venezuelianët.
Kërkesa për viza u paralajmërua javën e kaluar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Dominikane.
“Ministria e Punëve të Jashtme (Mirex) informon se nga 16 dhjetori i vitit 2019 shtetasve të Republikës Bolivariane të Venezuelës që duan të hyjnë në Republikën Dominikane do t’u kërkohet vizë e lëshuar përmes misioneve konsullore përkatëse”, tha ministria në njoftim.
Në Republikën Dominikane banojnë rreth 30 mijë venezuelianë dhe me këtë vendim ky vend synon të pakësojë hyrjen e tyre për qëllime turistike.