Bota

Rama: Jam në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Turqisë

Rama, gjatë një emisioni televiziv në Shqipëri, në lidhje me masat ekonomike mbi koronavirusin e ri, tha se ai ka folur me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me të cilin tha se është në kontakt të vazhdueshëm

Fatjon Cuka  | 20.03.2020 - Përdıtësım : 20.03.2020
Rama: Jam në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Turqisë

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se në lidhje me ndihmat e mundshme në rast nevoje për të përballuar situatën e shkaktuar nga koronavirusi i ri (COVID-19), kanë paraqitur një listë me kërkesa për shtetin turk, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rama, gjatë një emisioni televiziv në Shqipëri, tha se ai ka folur me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me të cilin tha se është në kontakt të vazhdueshëm.

"Ne kemi prej kohësh, jo tani, prej dy javësh vendosur në tavolinën e shtetit turk alternativën, pra një listë me kërkesa në rast se do të përmbyset bota dhe nuk do të ketë më asnjë mundësi komunikimi me askënd. Ne mendojmë që atë pjesën kritike, atë gjënë që duhet me e pas të garantuar për një plan C, duhet që ta kemi të garantuar dhe e kemi të garantuar me Turqinë", është shprehur Rama.

Ndërkohë, kryeministri Rama ka prezantuar në një komunikim të publikuar në rrjetet sociale edhe planin për adresimin e nevojave për financim të atyre që janë prekur drejtpërdrejtë në ekonominë e tyre, duke përfshirë institucione, bizneset, por edhe familjet në nevojë.

Plani qeveritar përfshin fonde për Ministrinë Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për pajisje e materiale mjekësore apo mbështetje të stafeve mjekësore, për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve, për shtresat më në nevojë dhe për biznesin e vogël.

Kujtojmë se numri në total i rasteve të konfirmuar me COVID-19 në Shqipëri është rritur në 64, prej të cilëve tre shtetas italianë që ndodhen aktualisht në Shqipëri, mes tyre edhe dy persona që kanë ndërruar jetë.

Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Që nga shpërthimi në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, sëmundja, e njohur si COVID-19, ka shkaktuar mijëra të vdekur në mbarë globin. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın